×
  • Op-Ed
  • Op-Ed

    Pakti sekret midis Trump dhe Putin: “Ti Ukrainën, unë Shtëpinë e Bardhë!”

    Insajderi
    06 December 2022 - 09:52
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Shkruan: Massimo Basile

    Një biznesmen i panjohur rus, një lobist amerikan, një klub ekskluziv në zemër të Manhatanit. Sigurisht dhe Donald Trump dhe Vladimir Putin. Në një artikull të gjatë, gazeta amerikane “New York Times” bashkon pjesët e një enigme, e cila lidh për herë të parë hakerimin rus të zgjedhjeve presidenciale amerikane të vitit 2016 me futjen e tankeve të Putinit në Ukrainë.

    “Il Russiagate” dhe lufta aktuale, të bashkuara në një ndërthurje ndërkombëtare, në të cilën Trump dhe Putin shfaqen si partnerë biznesi. Data kur nisi gjithçka është 28 korriku i vitit 2016. Mbrëmjen që Hillary Clinton pranoi nominimin presidencial të Partisë Demokratike, drejtori i fushatës së Donald Trump, avokati dhe lobisti Pol Manafort, mori një e-mail të fshehtë nga Moska.

    Personi në fjalë ishte një partner biznesi, Konstantin Kilimnik, një shtetas rus me lidhje me ushtrinë ruse, që drejtonte në Kiev firmën konsulente të Manafort. Kilimnik po kërkonte një takim personal me të.

    Mesazhi i koduar ishte “havjar”, një referencë për një ish-klient që i kishte dhënë atij një kavanoz të paharrueshëm me havjar me një kosto prej 30.000 dollarësh: Ai klient i famshëm ishte presidenti i rrëzuar ukrainas Viktor Janukoviç, njeriu që u arratis në Rusi në vitin 2014 pas protestave në Sheshin Maidan.

    Pas 5 ditësh të dy u takuan në Grand Havana Room, një klub ekskluziv i vendosur në katin e 39-të në një prej rrokaqiejve në bulevardin Fifth Avenue 666. Kilimnik i tregoi Manafort një plan sekret, të quajtur “Mariupol”, që përfshinte pushtimin e Ukrainës nga ana e Putin, dhe krijimin e një republike autonome në lindje të vendit.

    Sipas “New York Times”, presidenti i saj do të ishte sërish Janukoviç. Rusët ishin të sigurt se nëse Trump do të bëhej president falë Kremlinit, ky plan nuk do të haste asnjë pengesë. Në javët në vijim, hakerat rusë do të përshkallëzonin sulmet e tyre për ta dëmtuar Klintonin dhe për të ndihmuar Trumpin të fitonte zgjedhjet.

    Ndër dokumentet e cituara është “teksti mëmë” i gjithçkaje: një shënim i dërguar në vitin 2005 nga Manafort një oligarku rus pranë Putinit, Oleg Deripaska, që citohet në një raport të Komitetit të Inteligjencës së Senatit.

    Manafort promovoi paktin e vëllazërisë me Janukoviç dhe tregoi strategjinë sesi mund të fitonte zgjedhjet. Një model që sipas tij mund të “sjellë përfitime të mëdha për qeverinë e Putinit”. Pikërisht nën krahun mbrojtës të Manafort, Janukoviç fitoi zgjedhjet presidenciale.

    Gjashtë vjet më vonë do të zbulohej edhe pjesa e dytë e historisë: Manafort këshilltari i Trump. Kilimnik, ishte personi i kontaktit dhe lidhja e tij me Kremlinin. Manjati amerikan e mënjanoi tërësisht establishmentin, teksa i dha një mbështetje të vakët NATO-s, duke thënë se mbrojtja e Ukrainës nga pushtimi i Rusisë nuk ia vlente, pasi rrezikohej nisja e Luftës së Tretë Botërore.

    Më pas tha se do të shqyrtonte mundësinë e njohjes së Krimesë si një territor rus. Ndihma ushtarake për Kievin u bllokua nga këshilltari i Trumpit për sigurinë kombëtare, J.D.Gordon. Prandaj, 4 vitet e mandatit në Shtëpinë e Bardhë do të ishin një fazë e një afrimi domethënës me Moskën.

    Por fitorja e Xho Bajden në zgjedhjet e vitit 2020, i ndërlikoi planet e Kremlinit, edhe pse nuk e ndaloi presidentin rus nga zbatimi i planeve të tij. Pak përpara se të largohej nga Shtëpia e Bardhë, Trump e fali Manafort, i dënuar për falimentim të rremë të bizneseve të tij mashtrimin e FBI-së. 13 muaj më vonë, Putin, edhe pa mikun e tij në Uashington, vendosi pushtimin në shkallë të gjerë të Ukrainës.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark