×
  • Lajme
  • Analiza

    Pakujdesi e madhe në komunikacion, tri jetë të humbura për 24 orë- dy raste me vetaksident

    Insajderi
    04 August 2024 - 13:07
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Si shkak i pakujdesisë së madhe në komunikacion, tri jetë kanë pësuar humbje përbrenda 24-orëve në Kosovë. Dy nga rastet me fatalitet kanë ardhur si pasojë e vetaksidenteve. Mëngjesin e së dielës ka vdekur një person në vend në autostradën “Arbën Xhaferi”, ndërkaq pasditen e së shtunës një person tjetër ka humbur jetën si pasojë e pakujdesisë në Shtypeq të Rogovës së Pejës.

    Policia e Kosovës ka njoftuar për tri jetë të humbura për 24-orë, raporton Gazeta Insajderi.

    Një person ka humbur jetën dhe një tjetër është lënduar rëndë si pasojë e një aksidenti në autostradën “Arbën Xhaferi” mëngjesin e së dielës.

    Lajmin për Insajderin e ka bërë të ditur zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Daut Hoxha, i cili ka thënë se vetura fillimisht ka goditur anësoren e më pas ka dalë jashtë rrugës.

    “Ju informoj se me datën 04.08.2024 rreth orës 06:30 në Autostraden “Arben Gjaferi” ne KM-3 drejtimi Lipjan-Prishtine është shkaktuar nje aksident trafiku (Vet-aksident) ku një veturë ka devijuar rrugën duke goditur fillimisht anësoren e autostradës dhe me pas duke përfunduar jashtë rrugës”, ka njoftuar Hoxha.

    Hoxha ka njoftuar se i vdekur në vend ka mbetur pasagjeri, teksa shoferi është në gjendje të rëndë ku po trajtohet në QKUK.

    Tutje, ai ka bërë të ditur se me urdhër të prokurorit kujdestar trupi i viktimës është dërguar për obduskion në IML.

    Ndërkaq, mbrëmjen e së shtunës në Gllarevë të Klinës si shkak i një aksidenti trafiku mes dy veturave, që të dyjat janë përfshirë në flakë. Në pamundësi që të dalë nga vetura, njëri drejtues është përfshirë në flakë dhe ka ndërruar jetë.

    “Gllarevë, Klinë / 03.08.2024-19:05.  Raportohet për një aksident trafiku në mes dy automjeteve (njëri kombi bartës dhe tjetra veturë udhëtarësh) me targa vendore dhe drejtues meshkuj kosovar. Si pasojë e aksidentit  dy automjetet janë përfshihen në flakë ku drejtuesi i veturës në pamundësi të dalë nga vetura është djegur nga zjarri dhe ka ndërruar jetë, vdekjen e të cilit e ka konstatuar ekipi mjekësor. Me urdhër të prokurorit,  trupi i pajetë është dërguar në IML për obduksion, ndërsa drejtuesi tjetër si i dyshuar është arrestuar dhe  me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje”, njoftoi policia.

    Po ashtu, në Shtypeq të Madh të Rogovës së Pejës si pasojë e një vetaksidenti ka ndërruar jetë një person. Viktima ka qenë duke drejtuar një motoçikletë me katër rrota, ku si pasojë e pakujdesisë ka humbur kontrollin dhe është vetaksidentuar.

    “Shtypeq i Madh, Rogovë-Pejë / 03.08.2024 – 15:32.  I dyshuari mashkull kosovar duke drejtuar motoçikletën me katër rrota dyshohet se nga pakujdesia ka humbur kontrollin me ç’rast ka shkaktuar vetë aksident trafiku ku si pasoj i njëjti ka pësuar lëndime vdekjeprurëse, vdekjen e të cilit e ka konstatuar ekipi mjekësor, ndërsa lëndime të lehta trupore ka pësuar pasagjeri mashkull kosovar. Me vendim të prokurorit trupi i pajetë është dërguar në IML për obduksion”, ka njoftuar PK’ja.

    Policia e Kosovës ka ngritur shqetësim për këtë fenomen negativ të ndodhur brenda një dite. Sipas një statistike që kanë ndarë për media, përbrenda periudhës janar-qershor rreth 24 për qind e aksidenteve me fatalitet kanë ndodhur si pasojë e vetaksidenteve.

    Ata kanë apeluar tek të gjithë pjesëmarrësit në komunikacion të respektojnë rregullat e komunikacionit.

    Apeli i Policisë së Kosovës:

    Ne 24 orët e kaluar janë evidentuar edhe dy aksidente tjera me fatalitet dhe kjo është tepër shqetësuese pasi ne te dy rastet e raportuara kemi te bëjmë me vetaksidente, ku drejtuesit e automjeteve ose kane humbur kontrollin mbi veturën ose kanë devijuar rrugën si rezultat i pakujdesisë, ku dyshohet edhe se ka ardhur deri tek pasojat fatale.

    Sipas analizave të aksidenteve në trafik dhe shkaktareve të tyre ne gjashtëmujorin e pare (janar-qershor-2024), rreth 24 % te aksidenteve fatale të shkaktuara në rrugët tona janë vetaksidente.

    Andaj apelojmë tek të gjithë shoferët ne veçanti, por edhe pjesëmarrësit tjerë në trafik që të jenë vigjilent dhe gjatë pjesëmarrjes në rrugë të respektojnë shenjat rrugore dhe dispozitat ligjore që burojnë nga ligji mbi trafikun rrugor, në mënyrë që secili të kontribuoj në zvogëlimin e aksidenteve fatale dhe humbjen e panevojshme të jetëve njerëzore si pasojë e pakujdesisë.

    Policia e Kosovës, njësitet patrulluese të rendit dhe të trafikut, po vazhdojnë aktivitetet e shtuara në teren me qëllim të shtimit të sigurisë në trafik. Vendosja dhe mbajtja e një sigurie në trafik, kërkon angazhime të gjithmbarshme, andaj aktivitetet policore në drejtim të respektimit të rregullave, zbatim të ligjit dhe ndërmarrjen e masave ligjore ndaj shkelësve të ligjit në trafikun rrugor, janë të vazhdueshme. /Insajderi.org/

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark