
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Dimal Basha, është deklaruar edhe një herë për pamfletin me përmbajtje skandaloze kundër Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ku figuron si bashkautor me Jana Arsovskën.
Basha ka thënë pas mbledhjes së kryesisë se e pranon që ka qenë neglizhent karshi saj dhe se ka menduar që do t’i publikohet si i veçantë kapitulli i tretë, ku flet për radikalizmin në Ballkanin Perëndimor. I njëjti ka shtuar se s’ka qenë në dijeni se figuron si bashkautor në atë tekst, shkruan Insajderi.
“Do të thotë globalizimi i Ballkanit Perëndimor dhe bindja ime ka qenë që ka me dalë një kapitull i veçantë, por jo se do të del në bashkëautorësi me dikë tjetër. Në asnjë moment, kurrë, unë s’kisha pranu me qenë bashkëautor me një punim shkencor ku flitet ashtu për UÇK-në. Unë prej vitit 2008 kam publiku opinione. Asnjëherë, në asnjë moment, nuk e kam ditë që do të publikohet si bashkautorësi. Unë kam qenë student në vitin 2012 dhe kurrë në jetë s’e kam lexu artikullin. Pajtohem se duhet të kem qenë më i kujdesshëm. Mundesh me më thanë jam neglizhent, duhet me bart nifar barre. Kërkoj falje për pakujdesinë time. Pajtohem se duhet me u akuzu se kam qenë i pavëmendshëm. Unë e kam dërgu tash një imellë ku kam treguar se kam përgjegjësi vetëm për kapitullin tre dhe vetë autorja e pranon”, ka thënë Basha, teksa ka shtuar se askush s’duhet ta vë në dyshim atdhetarizmin e tij.
Basha shtoi se mbledhja e Kryesisë së Kuvendit ishte e natyrës konsultative, e cila dështoi në mungesë të kuorumit. /Insajderi.org/