Hoteli i Murosur Rrotull, si emër mund të tingëllojë i thjeshtë, madje i ftohtë. Pronari i këtij hoteli thotë që e ka “pamjen më të keqe të hoteleve në botë”, ku dhomat e tij marrin vetëm 25 minuta të rrezeve direkte të diellit në ditë.
I vendosur pranë murit ndarës kontrovers, mur i cili ndan Izraelin nga territoret palestineze, ky hotel u ofron udhëtuesve diçka më të pakapshme se sa destinacionet luksoze.
Kjo ndërtesë e cila gjendet në Betlehem është hotel, muze, protestë dhe galeri të gjitha në një, i mbushur me punime të artit dhe madhështisë nevrike të pronarit, artisti britanez i rrugës Banksy.
Hoteli në çdo cep përmban art me mesazhe politike, nga dhomat presidenciale ku ka shenja plumbash, te ato të thjeshtat me shtrate nga barakat e ushtrisë.
Të gjitha dhomat janë me pamje nga muri, ndërsa disa nga to mund edhe të shohin pak përtej tij.
“Muret janë në modë momentalisht, por unë isha në to kohë më parë, para se Donald Trump ti bënte ‘cool’,” tha Banksy.
Artisti i cili ka shkuar në Betlehem më shumë se një dekadë më parë, ka lënë shumë piktura në muret e barrierës të cilat janë bërë destinacion turistik. E në këtë mënyrë pritet edhe të rritet numri i punëve dhe vizitorëve në hotel.
Stafi i hotelit, i cili do hapet me 20 mars, shpreson që edhe izraelitët do të vijnë në vizitë pasi ata rrallë herë kalojnë barrierën, meqë kjo edhe është e paligjshme.
“Do doja të ftoja që të gjithë të vijnë këtu,” tha menaxheri i hotelit Wisam Salsaa.
“Ne duam që ata të mësojnë më shumë për ne, sepse kur ata të na njohin do thyhen stereotipet dhe gjërat do ndryshojnë,” tha ai.