Sot, në orët e pasdites, ka ndodhur gjuajte me armë zjarri në lagjen “Kodra e Trimave” në Prishtinë, ku dy persona kanë mbetur të lënduar.
Lajmin për Insajderin e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë për rajonin e Prishtinës, Agron Borovci, i cili njoftoi se rasti ka ndodhur në rrugën “Mon Balaj” në Prishtinë.
Tutje, ai shtoi se personat e lënduar janë dërguar QKUK për trajtimin e nevojshëm mjekësor.
“Rreth orës 16:00, është raportuar për të shtëna me armë zjarri në rrugën ”Mon Balaj” në Prishtinë. Policia menjëherë ka dalë në vendin e ngjarjes dhe nga informacionet e para është bërë e ditur se dy persona kanë marrë lëndime dhe të njëjtit janë dërguar në QKUK për trajtimin e nevojshëm mjekësor. Policia në mënyrë aktive po vijon punën e saj me veprime të ekzaminimit të vendngjarjes si dhe me veprime të tjera operativo-hetimore, me qëllim të sqarimit të rrethanave që karakterizojnë ngjarjen si dhe identifikimin, lokalizimin dhe kapjen e personave që dyshohet të jenë të përfshirë në rastin në fjalë”, tha ai.
Lidhur me rastin, policia ka identifikuar dy persona të dyshuar të përfshirë në rast.
Pas veprimeve të shpejta hetimore, njëri nga ta është arrestuar derisa tjetri është ende në arrati.
Këtë e konfirmoi për Insajderin Agron Borovci, zëdhënës i policisë për rajonin e Prishtinës.
“Po ashtu është identifikuar edhe një veturë e përfshirë e cila është sekuestruar nga policia”, tha Borovci.
Gazeta Insajderi ju sjell pamje nga vendi i ngjarjes: