Morgu i spitalit kryesor në Rumani nuk ka më vend për të vdekurit. Në një shenjë të qartë të kostos njerëzore të përhapjes së koronavirusit, trupat e viktimave të Covid-19, të mbështjellë në qese të zeza, shihen në korridorin e një spitali në kryeqytetin Bukuresht.
Qindra njerëz kanë vdekur çdo ditë në dy muajt e fundit në Rumani, vend që është prej më të goditurve në valën e fundit të pandemisë, që ka përfshirë pjesë të Evropës Qendrore e Lindore, ku shumë më pak njerëz janë vaksinuar në krahasim me Evropën Perëndimore, shkruan Associated Press.
“Një fshat zhduket përditë në Rumani. Po çfarë për një javë apo një muaj? Një fshat më i madh? Ose një qytet? Ku ndalemi ne”, thotë Dr.Catalin Cirstoiu.
Ekspertët e kanë fajësuar shkallën e ulët të vaksinimit për rritjen e numrit të viktimave. Rreth 40 për qind e popullsisë në Rumani është vaksinuar – shumë më pak se mesatarja prej 75 për qind e Bashkimit Evropian.
“Jemi të dërrmuar financiarisht, fizikisht e psikikisht. Të gjitha këto, në fund të ditës, shkaktohen nga një gjë: paaftësia e popullsisë për të kuptuar se duhet të vaksinohet”, shtoi mjeku i dëshpëruar, Dr. Cirstoiu.