Një ditë më parë, Komuna e Prizrenit ka njoftuar se zjarri në zonën turistike të Prevallës ende nuk është shuar plotësisht për shkak të terrenit të vështirë.
E zjarri po vazhdon të jetë aktiv, kështu kanë konfirmuar për Insajderin disa banorë të asaj ane duke përcjellur edhe pamje.
Për më tepër një qytetare e shqetësuar ka thënë zjarri i është ofruar zonave të banuara, ndërkohë që sipas saj në vendin e ngjarjes nuk ndodhën zjarrfikësit.
“Zjarri eshte afruar shume afer banimit ndersa ne vendngjarje nuk ndodhet asnje njesi e zjarrfikseve apo organeve te tjera kompetente”, i tha ajo Insajderit.
“Me poshte gjeni disa foto dhe video nga vendi i ngjarjes. Ju lusim te raportoni per mungesen e ndihmes dhe rrezikimit te shume personave qe kane ardhur per sherim dhe jane te palevizshem”, bëri thirrje ajo.
Theksojmë se Agjencia për Mbrojtjen e Mjedisit (AMM) ka kërkuar ndihmën e KFOR-it për të intervenuar në zjarret që kanë shpërthyer në Parkun Kombëtar “Sharri”.
Sipas njoftimit të lëshuar, përfaqësuesit e KFOR-it janë duke monitoruar situatën dhe analizuar mundësitë për ndërhyrje.
AMM raportoi se zjarri vazhdon të përhapet drejt fshatit turistik të Prevallës dhe ka prekur edhe zonën strikte të natyrës “Maja e Arnenit”.