Pa(mundësitë) e Lëvizjes - Insajderi
×
  • Op-Ed
  • Op-Ed

    Pa(mundësitë) e Lëvizjes

    Insajderi
    23 January 2021 - 20:01
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Shkruan: Demush Shabani 

    Që prej rrëzimit të qeverisë Hoti nga Gjykata Kushtetuese si dhe caktimit të datës për mbajtjen e zgjedhjeve parlamentare më 14 shkurt të këtij viti, në mesin analistëve, komentatorëve dhe  opinioninistëve të shumtë, po dominon një konstatim i përgjithshëm se partia më favorite, madje edhe e pakontestueshme e këtyre zgjedhjeve, do të jetë Lëvizja Vetëvendosje. Këtë supozim e mbështesin edhe shumica e matjeve demoskopike që janë prezantuar deri më tani për publikun. Ekziston një ngarendje e theksuar ndërmjet tyre, se cili po tregohet më i saktë në parashikimet e tyre lidhur me numrin e deputetëve dhe përqindjen që do ta fitojë kjo lëvizje.  Konstatimet se ky është momentum i Vetëvendosjes, fryma e saj etj etj, janë vetëm disa nga frazeologjitë më të theksuara që këto ditë po shpërfaqen në tregun mediatik të vendit.  

    Megjithatë, kjo garë e ethshme për prognoza politike ka lënë nën hije disa pyetje tjera themelore, sikur se ato që lidhen me arsyet bazike të këtij disponimi publik për këtë entitet politik. Dhe më kryesorja, cilat janë mundësitë apo pamundësitë qeverisëse si dhe kapacitetet që ajo posedon për ta ushtruar pushtetin në mënyrë efikase? Aftësitë administrative për të menaxhuar disa nga krizat me të cilat po përballet shoqëria kosovare, sikur menaxhimi i pandemisë së Covid-19, rrënimit ekonomik, planet për rimëkëmbje politike, sociale dhe ekonomike, e deri te guximi politik për t’u përballur me presionet e shumëfishta ndërkombëtare lidhur me detyrimin për negociata me autoritetet e Beogradit si dhe vizonin për tu akomoduar në nismat e shumëfishta rajonale . E të mos flasim këtu për Gjykatën Speciale, e cila, siç dihet, është shndërruar në një brengë kolektive për të gjithë shqiptarët. 

    Askund njeriu nuk përballet më shumë me pasojat e veprimeve të veta sesa në terrenin e politikës. Vargu serik i tyre e determinon në masë e  të madhe edhe të ardhmen e një lideri apo formacioni politik. Prandaj mënyra se si kjo lëvizje e ka ushtruar për më shumë se një dekadë veprimtarinë e saj, narracionin që ka prodhuar dhe rrugën e gjatë që ka ndjekur deri te pushteti, do të tregojë më mirë se asgjë tjetër mbi potencialin apo mungesën e tij për ta shndërruar Lëvizjen Vetëvendosje dhe drejtuesin e saj Albin Kurtin në (mos)alternativë qeverisëse për Kosovën, në këtë fazë tejet delikate dhe fragjile ku ajo ndodhet.      

    1 Dhunimi i realitetit nga kallëpet ideologjike 

    Dilema kryesore e Lëvizjes Vetëvendosje në vazhdimësi ka qenë oskilimi ndërmjet strukturës së sektit dhe angazhimeve në institucione shtetërore. Ndërmjet një miksture bizare ideologjike dhe interesave politike. Ndërmjet nënshtrimit ndaj dogmave propagandistike të organizatës dhe kultit të liderit si dhe pretendimeve formale për promovim të aksionit të përbashkët politik. Si pasojë e kësaj qasje dihtomike ajo, ku ka pasur mundësi, e ka tjetërsuar madje edhe vetë rolin e shtetit, institucioneve publike dhe politike vetëm në instrument të qëllimeve ideologjike të Lëvizjes.         

    Siç dihet, besnikëria ndaj ideologjisë është ushqim vetëm për fanatizëm. Operimi sipas kësaj skeme i kundron shtetin dhe institucionet juridike në një “aparat ideologjik”. Ato nuk e kanë rolin e një strukturë ndërinstitucionale me anë të të cilave mbrohen themelet republikane, të drejtat dhe liritë individuale e qytetare. Vlerat e përbashkëta shoqërore, publike dhe morale të “botës jetësore” devalvohen dhe degradohen në mekanizëm instrumental për qëllimet finale të Lëvizjes. Politika nga veprimtari ku afirmohet liria e kolektive dhe individuale, shndërrohet në mjet për qëllimet e proklamuara futorulogjike të Lëvizjes. 

    Mbetet i njohur fakti se të gjitha “ideologjitë përmbajnë elemente totalitare, por këto zhvillohen plotësisht vetëm nga lëvizjet totalitare”. Si cilësi tjetër e mendimit ideologjik mbetet tendenca që të shkëputet prej realitetit, prej të gjitha eksperiencave prej të cilave s’mund të mësojë diçka të re dhe të “ngulë këmbë mbi një realitet ‘me të vërtetë’ të fshehur pas të gjitha gjërave të përfytyrueshme”. Me këtë rast propaganda ideologjike, vazhdimisht “përpiqet të injektojë një kuptim sekret në çdo ngjarje publike, të prekshme dhe të dyshojë një qëllim të fshehtë prapa çdo veprimi publik politik”. Ndërkaq nëse koincidencat politike dhe sociale gërshetohen në atë mënyrë që ua mundëson këtyre lëvizjeve të marrin pushtetin, kur do që ka ndodhur kjo, ato  “procedojnë të ndryshojnë realitetin në pajtim me pohimet e tyre ideologjike”.  Për fund edhe konceptet tradicionale politike zëvendësohen me ato të “komplotit dhe kjo prodhon një mentalitet në të cilin realiteti – armiqësia e vërtetë apo miqësia e vërtetë – nuk provohet më dhe nuk kuptohet në termat e tij, por supozohet se automatikisht përfshin diçka tjetër”.  E ndër pasojat më të drejtpërdrejta të këtij qëndrimi anti-politik mbetet projektimi dhe shkatërrimi i vetë pluralitetit njerëzor, atribut ky që përbën njëri nga kushtet bazike të politikës dhe demokracisë.

    Në këtë kontekst, Lëvizja Vetëvendosje është dalluar si një nga formacionet më rigjide në çimentimin e kësaj mendësie. Madje edhe sulmet e fundit të orkestruara nga dishepujt e saj fanatikë ndaj institucioneve të pavarura kushtetuese, nuk janë asgjë tjetër, pos shprehje flagrante e esencës së saj si dhe manifestim regresiv i impulseve “psiko-ideologjike” të kultivuara ndër vite.     

    2 “Trashëgimia e Paligjmërisë” si tipar kryesor i Lëvizjes Vetëvendosje.  

    Sfidimi i legalitetit, atakimi i “ligjeve pozitive” dhe normave ligjore që në një rend kushtetues krijohen për të konstituuar dhe mbrojtur themelet e një entiteti politik, janë vetëm disa nga metodat e njohura të sjelljes që këto struktura i praktikojnë në vazhdimësi me synim mobilizimin e masave për të realizuar ambiciet e tyre ideologjike.  

    Nuk ka shembull më paradigmatik të kësaj skeme të funksionimit se sa vetë mënyra se si deri me më tani ka operuar Lëvizja Vetëvendosje. Që nga themelimi dhe përgjatë gjithë viteve të ekzistencës së saj, vlerësimet dhe bindjet e saj ideologjike janë shpallur si të vërteta absolute. Synimet e saj janë shpallur si finale. Të panegociushme.  

    Sipas kësaj force, më të rëndësishme se institucionet e shtetit, ligjet, kushtetuta, pluralizmi, partitë tjera politike, liria individuale, interesi personal, autonomia njerëzore, e drejta qytetare për vetorganizim politik, shoqëror, kulturor jashtë orbitës së të tyre, padyshim se janë ‘ligjet e lëvizjes’. Nuk është me rëndësi kategoria e legalitetit, procdeuralizmi demokratik, por kriter i vetëm për përfaqësim mbetet absorbimi i retorikës së kësaj Lëvizjeje. Ato të parat kanë rëndësi vetëm nëse janë në funksion të agjendës së Vetëvendosjes. Këtë sindrom asgjë nuk e ka manifestuar më mirë se deklarimet e përçarta këto ditë të Albin Kurtit, kur pohon se “institucionet e shtetit duhet ta ndjekin vullnetin e popullit të vetëdijesuar si asnjëherë më parë në Kosovën e pasluftës”,   

    3 Hyjnizimi i Dhunës 

    Si rezultat i këtij manipulimi, kjo Lëvizje i ka brumosur aktivistët e saj me një mentalitet anti-institucional dhe anti-demokrarik. E ka elektrizuar energjinë e tyre për sulme ndaj institucioneve shtetërore me një armiqësi të pashembullt sipas logjikës, se ‘çdo gur i hedhur ndaj tyre është një akt politik në funksion të mbrojtës së interesave popullore”. Ky slogan i huazuar nga bunkerët mentalë të lëvizjeve ekstreme majtiste që u zhvilluan në Evropë në vitet ’70 të shekullit të kaluar ka shërbyer si brerore shpirtërore për të bekuar dhunën.   I ka shndërruar militantët e saj në përdorues dhe apologjet të dhunës. Interiorizimi i sloganeve të tilla ka qenë moto e edukimit politiko-ideologjik, në shkollën e prodhimit të militantit aktivist të kësaj Lëvizje.     

    4 Deforimimi i Komunikimit Publik 

    Nën peshën e kësaj gjuhe intoksikatore është sulmuar dhe kultura e komunikimit publik. Është degraduar funksioni i saj nga vlerë për të prodhuar një mirëkuptim të ndërsjellë, në “armë vrastare” për ekskomunikim. Siç dihet kriteret për një komunikim racional publik kërkojnë pjesëmarrjen e të gjithë participantëve mbi premisat e një interaksioni ndërsubjektiv që ka për qëllim ndërtimin e konsensusit universal. Kjo frymë përbën edhe esencën e deliberacionit demokratik. Në antinomi më këtë arsyeje komunikatave, Vetëvendosja e ka promovuar modelin instrumental të saj.   

    Kurse ky diskreditim është orkestruar dhe nxitur me synime të qarta strategjike për të linçuar, sulmuar, dhe etiketuar çdo opsion tjetër alternativ në jetën publike. Për ta imponuar një narracion monologjik dhe shkallmuar potencialet e multi-prespektivizmit shoqëror, politik, moral dhe konceptual. Etiketimet si “hajn”, “kriminel” dhe “tradhtar” e kanë dominuar arsenalin e sulmeve publike të Vetëvendosjes ndaj oponentëve të saj politikë. Duke qenë se “gjuha është e lidhur me mendimin” atëherë shtrembërimi kuptimor i njërës pashmangshëm prodhon të njëjtin efekt edhe për tjetrën. Motivi i primar i kësaj strategjie mbetet shthurja e kritereve publike për dallimin ndërmjet të vërtetës dhe gënjeshtrës, faktit dhe manipulimit, realitetit dhe spekulimit. Me anë të këtyre sulmeve brutale është tentuar që kjo Lëvizje të inaugurohet si pronare e vetme e të vërtetës historike politike dhe patriotike.  Kushdo që ka ndjekur deklaratat e eksponentëve të Vetëvendosjes, dhe sidomos ato të Albin Kurtit, si për rezultatin e zgjedhjeve të 6 tetorit të vitit të kaluar, ashtu edhe ato që priten të mbahen me 14 shkurt do të mund ta kuptojë se si Albin Kurti rezultatin e këtyre zgjedhjeve nuk e konsideron si një mundësi për rotacion normal politik demokratik. Por e ka definuar atë si Ngjarje ( Truth-Event). Si konfirmim i vërtetësisë së kauzave dhe teorisë që ka proklamuar dhe mbrojtur deri më tani. Kurse veten e ka përcaktuar si agjent social, politik dhe kulturor, ku tashmë Ai, jo vetëm që e “flet të vërtetën, por “e vërteta flet nëpërmjet tij”.Në këtë kontekst ai ekspozohet si një “edukator dhe patron logjiko-historik” kurse ndjekësit e tij “si nxënës të predestinuar të teorisë” që e propagandon.  

    5 Pasioni për Kaos 

    Përfundimisht ky vështrim gjenealogjik flet mbi disa nga kufizimet dhe pamundësitë e kësaj Lëvizjeje për t’u shndërruar në forcë stabile politike dhe alternativë qeverisëse. Ajo mbetet peng i së kaluarës së saj. Ndryshimet kozmetike që ka proklamuar kohën e fundit nuk garantojnë reformim strukturor të saj. Rrjedhimisht shihet qartë se Lëvizja Vetëvendosje në vend të ushtrimit të përgjegjësive administrative institucionale sipas parimeve nomokratike, tenton ta mbajë pezull situatën. Të elektrizuar.  

    Me anë të kësaj strategjie të kaosit, thellimit të krizës dhe intensifikimit të retorikës inflamatore dhe provokimit të gjendjes deri në kufijtë e në trysnie ekstreme, kjo lëvizje dhe lideri i saj Albin Kurti po tregojnë se vazhdojnë të mbesin dishepuj konsekuent dhe fanatikë te mësimeve të Mao Zedong-it, i cili dikur thoshte “ekziston një kaos i madh ndër qiell, situata është shkëlqyeshme”( there is e great disorder under heaven, the situation is excellent). 

    Sidoqoftë ishte vet Mao Zedong-i, cili pas takimit me Nixon-in dhe Kissingnger-in ishte këndellur mbi falsitetin e këtij besimi te verbër në kaosin revolucionar. Madje pas këtij takimi ai do ta formulonte një sentencë emblematike ku deklaronte se i pëlqen negocimi me të djathtët, pasi ata e flasin në të vërtetë atë çka mendojnë, në dallim nga të majtit, të cilët pohojnë diçka tjetër dhe mendojnë diçka tjetër”. (I like to deal with rightists. They say what they really think-not like the leftists, who say one thing and mean another).   

    Ky konstatim dëshmon se Albin Kurti tashmë, nuk ka arritur të emancipohet politikisht dhe mentalisht as deri në nivelin e idolit të tij revolucionar. Kështu, edhe përkundër retorikës konstante të progresit dhe emancipimit që e proklamon, Albin Kurti vazhdon të mbetet peng i fantazmave të së kaluarës e të cilat e pengojnë ta përvetësojë një botëkuptim normal politik dhe demokratik, konform nevojave dhe interesave të Kosovës së shekullit 21.


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark