Panamaja ka ndërprerë lidhjet e saj diplomatike me Taivanin për të forcuar marrëdhëniet me Kinën. Qeveria panameze deklaroi se, njeh politikën e “një Kine të vetme” dhe se e konsideron ishullin pjesë të sajën.
Nga ana e tij, Taivani shprehu irritim dhe keqardhje për këtë vendim dhe akuzoi Panamanë për sjellje “prej të forti”. Kina e sheh Taivanin si një provincë të shkëputur.
Një seri vendesh mbajnë marrëdhënie me Taipein më tepër sesa me Pekinin dhe Panamaja është vendi i fundit që ka ndërruar krah.
Në dhjetor të vitit të kaluar, ishulli-shtet Sao Tome dhe Principe në Afrikë bën një lëvizje të ngjashme. Tani, vetëm 20 vende kanë lidhje diplomatike më Taivanin.
Në vitet e fundit, Kina ka intensifikuar investimet e saj në vendin e Amerikës Qendrore, ku ndodhet dhe Kanali i famshëm i Panamasë.
Ministria e Jashtme në Taivan u shpreh në një deklaratë se, ndjente irritim dhe keqardhje për atë që e quante “një kthesë diplomatike armiqësore të Panamasë, që u dorëzua përpara interesave ekonomike të Pekinit”.
Ishulli aziatik akuzoi Panamanë për një sjellje prej “të forti”, që ka injoruar vitet e shumta të miqësisë mes dy vendeve dhe shtoi se, “nuk do të konkurrojë me Pekinin për diplomacinë e parave”.
Vetëm qershorin e vitit të kaluar, liderja tajvaneze, Tsai Ing wen vizitoi Panamanë, në vizitën e saj të parë përtej oqeanit si presidente.