Pandemia e Covid 19, Angela Merkel e humb durimin - Insajderi
×
  • Op-Ed
  • Op-Ed

    Pandemia e Covid 19, Angela Merkel e humb durimin

    Insajderi
    30 January 2021 - 09:58
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    A ndodhet Gjermania në pandeminë e koronavirusit në një “fuçi baruti”? A i ka “rrëshqitur situata nga duart”, përgjegjësve? Nëse është e vërtetë, sikur edhe gjysma e citateve që sipas “Bild”-it kanë dalë nga një lidhje e brendshme e kancelares Angela Merkel me kryeministrat e landeve, atëherë kemi të bëjmë me një kancelare që përfundimisht e ka humbur durimin. “Ne duhet të jemi më rigorozë, ndryshe brenda 14 ditësh do jemi sërish aty ku ishim”, duket se ka thënë Merkel.

    Se në ç’gjendje ndodhet kancelarja, këtë e tregon edhe reagimi i saj lidhur me dëshirën e madhe për udhëtim të gjermanëve. “Gjatë Krishtlindjeve kanë fluturuar 50 mijë vetë në ishujt Kanare dhe Maledivet”, duket se ka thënë ajo. Dhe, më tej: Njëqind herë ajo e ka pyetur veten, pse nuk ndalohen udhëtime të tilla? Dhe, merr një përgjigje që më shumë lidhet me ish-qytetarët e RDGj-së, se Gjermania është tanimë një vend i lirë.

    Nëse vërtet janë përdorur këto fjalë dhe Merkel ka marrë gjithmonë këtë përgjigje, me të drejtë ajo është e prekur. Edhe mohuesit e koronavirusit, pjesërisht ekstremistë të djathtë, i referohen me dëshirë biografisë së Merkelit nga RDGj-ja, kur përmendin kufizimet e të drejtave qytetare që për ta janë të padurueshme.

    Vërtet Gjermanisë i ka rrëshqitur situata nga dora!? Fakt është që shifrat e infektimeve janë duke rënë, por jo aq shpejt sa duhet para përhapjes së mutacioneve të rrezikshme të virusit në Gjermani. Po ashtu, ajo që dihet, është se është humbur shumë kohë me miratimin e ngadalshëm  të vaksinës nga BE-ja, që tani po ofrohet me vonesë. Dhe, është shenjë shqetësuese kur kancelarja legjendare për fuqinë e saj duruese ndër vite e në negociata të panumërta, tani e humbet durimin.

    Merkel është në vitin 2021, në atë që shumë amerikanë e quajnë “lame duck” e pafuqishme. Ajo largohet në vjeshtë nga zyra e kancelares. Të gjithë e dinë këtë, prandaj edhe fjala e saj nuk e ka më atë peshë si në vitet e mëparshme, në një kohë që për zbatimin e vendimeve janë përgjegjës landet. Shumë nga kryeministrat me të cilët Merkel duhet të negociojë, duan të rivotohen sërish dhe e dinë se sa të lodhur janë njerëzit dhe sa e dëshirojnë ata zbutjen e masave.

    Por, Merkel nuk dëshiron që në fund të pandemisë të qëndrojë si ajo që në metrat e fundit të mandatit të saj qeverisës dështoi në luftimin e pandemisë. Sidomos jo pasi e mundi krizën financiare, i la pas debatet e ashpra për valën e refugjatëve në vjeshtë të vitit 2015 si dhe në vitet më pas, e më pas Donald Trumpin, presidenca e të cilit nuk ishte një kohë e lehtë për Merkelin.

    Përveç kësaj, me siguri jo pa të drejtë, ajo është e mendimit që njerëzit në Gjermani në kohën e pandemisë, ankohen në nivel luksi. Edhe kufizimet e “izolimit” të tanishëm, që po tregon efektin e vet, nuk janë edhe aq të ashpra si në Itali, në Francë apo në Spanjë. Me fjalë të tjera: restorantet e mbyllura, udhëtimet e anuluara dhe disa javë pa një model të ri flokësh prej parukerive të mbyllura, janë për kancelaren të përballueshme. Megjithatë, ajo këtu nuk ka parasysh fatin e shumë pronarëve të restoranteve apo artistëve, që si mijëra të vetëpunësuar të tjerë rrezikojnë ekzistencën ekonomike.

    Pandemia në Gjermani është një garë me kohën. Fillimi me ngecje i procesit të vaksinimit të zemëron më shumë se kufizimet që kemi tani. Takimet e pafund të kancelares me kryeministrat e landeve janë bërë të lodhshëm. Mbetet thuajse vetëm shpresa që skenarët e frikshëm për mutacionet e virusit nuk do të bëhen realitet. Në moment, Gjermania duket sikur nuk di ç’të bëjë më tej. Pranvera dhe me të edhe kthimi i ngadalshëm në normalitet, duken ende shumë larg. /DW/


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark