Ishulli grek i Lesbos ndodhet sot në fokusin e mediave mbarëbotërore për arsye të vizitës historike të krerëve të dy Kishave, asaj Katolike Romane dhe asaj Ortodokse.
Papa Francesku që është nisur nga Roma pak më parë dhe Patriarku Ekumenik Bartolomeu që ndodhet prej disa orësh atje, të ftuar nga Kryepeshkopi grek Ieronimos, bashkojnë sot përpjekjet e tyre për të dërguar një mesazh human me nënshkrimin e një deklarateje të përbashkët në viziten tek qendra e pritjes dhe regjistrimit të emigrantëve në këtë ishull dhe duke u takuar me refugjatët dhe me përgjegjësit për mbarëvajtjen e këtij hotspoti.
Pas kësaj, nga porti i Mitilinit, ata do të kryejnë një lutje për qindra emigrantë që kanë humbur jetën e tyre në ujërat e Egjeut.
Papa Francesku pritet nga vetë kryeministri grek që ndodhet prej mëngjesit të sotëm në Lesbos dhe më pas do t’i shoqërojë të tre liderët fetarë në viziten e tyre në ishull. Rreth orës 13 e 45 pritet fjalimi i Papa Franceskut dhe zhvillimi i një ceremonie fetare gjatë së cilës do të hidhen kurora me lule në det.
Vizita do të përfundojë rreth orës 3.00, ora lokale. Ngjarja mbulohet nga 400 gazetarë nga vende të ndryshme të botës, ndërsa televizoni shtetëror grek ka krijuar një studio të vogël prej ditës së djeshme dhe transmeton edicionet e lajmeve prej ishullit të Lesbos.
Qëllimi kryesor i kësaj vizite historike në këtë ishull prej të cilit ka kaluar shumica e valës së refugjatëve në vitin e kaluar dhe gjatë tre muajve të parë të këtij viti është të çojë një mesazh të fortë humanizmi dhe solidariteti gjithë komunitetit mbarebotëror në perballimin e krizës se refugjatëve./tch