Papa Francesku thotë se mizoritë dhe luftimet në qytetin irakian, Mosul “na bëjnë të qajmë, dhe na lënë pa fjalë”.
Më tutje Papa u tha sot afro 50 mijë besimtarëve në Qytetin e Vatikanit, se “është i pikëlluar nga vrasjet me gjakftohtësi të një numri të djemve të kësaj toke të dashur, në mesin e tyre shumë fëmijë”, shkruan AP.
Ai është shprehur se qëndron afër popullit të Irakut “në këto orë dramatike”, duke thënë se “shpirti ynë është i tronditur nga aktet brutale dhe dhuna, që po kryhet për një kohë të gjatë kundër shtetasve të pafajshëm, qofshin ata myslimanë apo të krishterë”.