Papa Françesku paralajmëroi kundër rritjes së populizmit dhe rreziqeve të politikave që çojnë drejt krijimit të diktatorëve të tillë si Hitleri.
Komentet, ai i bëri pas betimit të presidentit amerikan Donald Trump, në një intervistë për gazetën spanjolle “El Pais”.
Kreu i Selisë së Shenjtë dënoi përdorimin e mureve dhe telave me gjemba për të mbajtur larg të huajt, gjithsesi shtoi se ishte ende herët për të gjykuar udhëheqësin e ri amerikan.
“Le të shohim ç’do të bëjë Trump”, ishin fjalët e tij.
Miliarderi ka ngjallur kundërshti me komentet e tij për emigrantët meksikanë dhe planet për nderimin e një muri për të mos lejuar hyrjen e tyre.
Pikërisht për këtë çështje, Papa argjentinas e kritikoi republikanin gjatë fushatës, duke vënë në dyshim besimin e tij të krishterë. I pyetur nëse ishte i shqetësuar për rritjen e populizmit në Europë dhe SHBA, Papa Françesku u shpreh:
“Krizat shkaktojnë frikë, alarm. Sipas mendimit tim, shembulli më i qartë i populizmit europian është Gjermania në vitin 1933. Gjermania ishte e rrënuar, në kërkim të një udhëheqësi në gjendje për t’i rikthyer vendit identitetin e tij, e një i ri i quajtur Adolf Hitler tha se mund ta bënte këtë”.
Papa kujton se ai nuk e kishte marrë me dhunë pushtetin dhe se vet gjermanët kishin votuar për Hitlerin.