I dërguari special i Bashkimit Evropian për dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, Miroslav Lajçak është deklaruar para nisjes së raundit të ri të negociatave në Bruksel.
Lajçak ka thënë se draft statuti i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbë në Kosovë duhet të jetë i pranueshëm nga të dyja palët dhe në përputhje me standartet evropiane.
“Ekipi menaxhues do të prezantojë draftin. Ne nuk dimë se çfarë ka në të por duhet të jetë fillimi i procesit. Së fundi duhet të kemi një statut të pranueshëm për të dyja palët si për Kosovën ashtu edhe për Serbinë në përputhje me standartet evropiane. Është hapi i parë i rëndësishëm”, deklaroi Lajçak përcjell Insajderi.
Ai theksoi se BE-ja nuk dëshiron të krijojë një AKS të bazuar në një model që nuk është testuar më parë në botë. /Insajderi