Logopedi gjilanas, Iljasa Fazliu dje u arrestua nën dyshimet për abuzim me vajzën 3 vjeçare me autizëm në ordinancën e tij. Ndërsa sot, Gjykata Themelore në Gjilan ka caktuar masën e paraburgimit ndaj logopedit Iljasa Fazliu dhe dy familjarëve të 3 vjeçares të cilët ushtruan dhunë ndaj tij.
Në vendimin e gjykatës thuhet se masa e paraburgimit ndaj tre të pandehurve I.D, I.Sh dhe R.V është caktuar për 30 ditë.
Lidhur me paraburgimin ka reaguar avokati i dajës së vajzës 3 vjeçare që së bashku me babain e të miturës ushtruan dhunë ndaj logopedit.
Sipas Spahiut janë barazuar veprimet e ndërmarra nga prindi i vajzës dhe dajës me veprimet ç’njerëzore të të ashtuquajturit “LOGOPED”.
“Gjykata Themelore në Gjilan ka caktuar masën e paraburgimit ndaj të mbrojturit tonë dhe babait te vajzës së keqtrajtuar nga Logopedi Iljasa Fazliu, e njëkohësisht e ka caktuar masën e paraburgimit edhe ndaj të dyshuarit të parë- Logopedit. Me anën e këtij vendimi janë barazuar veprimet e ndërmarra nga prindi i vajzës 3 vjeçare dhe i dajës së saj me veprimet ç’njerëzore të të ashtuquajturit “LOGOPED”, i cili është dashur që ta trajtojë në mënyrë profesionale vogëlushen e pafajshme. Brenda afatit ligjor do të ushtrojmë ankesë dhe shpresojmë qe Gjykata e Apelit do ta trajtojë rastin në mënyre objektive. Me respekt Avokatura SPAHIU” – shkroi ai.