
Gjykata Themelorë në Prishtinë ka vendosur që të caktojë paraburgim prej 30 ditësh për një person i cili dyshohet se ka tentuar të kopjonte kodet e klientëve në ATM të njërës prej bankave komerciale në Kosovë.
Sipas gjykatës, ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri V.T, me datë 15.04.2016 rreth orës 06:40 në bankomatin e njërës prej bankave komerciale në Prishtinë , afër Hotel Grand në Prishtinë, si dhe me datë 23.04.2016 rreth orës 06:30 në bankomatin tjetër të njërës prej bankave komerciale në Prishtinë ka vendosur një kamerë të modifikuar për kopjimin e Pinkodit të klientëve të cilët e kanë përdorë ATM-në në fjalë.
Dyshohet se përmes këtyre pajisjeve ka arritur ti merr shënimet të cilat gjenden në kartelat bankare si dhe pinkodet katër shifrorë që vendosen kur tërhiqen të hollat nga bankomati, njofton gjykata.
“Arsye për caktimin e masës së paraburgimit është se ekzistojnë rrethanat që tregojnë rrezikun se po të gjendet i pandehuri në liri mund të arratiset me qëllim të shmangies nga përgjegjësia penale duke marrë parasysh rrethanën e posaçme se i pandehuri është shtetas i Republikës së Bullgarisë, dhe në këtë mënyrë do të jetë i paarritshëm për organet e drejtësisë”, thuhet në njoftimin e gjykatës./Insajderi.com