Kjo është loja e rrezikshme që fëmijët mund t’i shndërroj në dhunues.
Platforma e lojërave Roblox i ekspozon fëmijët ndaj dhunës, ngacmimeve kibernetike, mashtruesve, përmbajtjeve për të rritur e shumçka tjetër.
Shumica e lojërave mund të krijohen nga vetë lojtarët, kështu që kushdo që dëshiron krijon çfarëdo loje që do, duke u mundësuar edhe fëmijëve të vegjël që, duke luajtur lojëra të dhunshme, të komunikojnë edhe me persona të panjohur. Nuk ka ndonjë limit ose penalizim të fjalëve me të cilat, për shembull, një i rritur mund t’i qaset një të mituri.
Një e keqe tjetër e kësaj platforme, e cila u krijua në vitin 2006 dhe mori hov pas pandemisë, është se individë të të gjitha moshave mund të luajnë.
Meqenëse nuk ka kufi moshe dhe lejohet komunikimi mes lojtarëve, është i pranishëm edhe bullizmi kibernetik, ku gjuha fyese dhe etiketimet e bëra me qëllim nxitjen e zemërimit te kundërshtari shkaktojnë dëme të mëdha emocionale.
Vetëm në gjashtë vitet e fundit, dhjetëra njerëz janë akuzuar dhe arrestuar për rrëmbim ose abuzim me fëmijët që takuan ndërsa luanin Roblox, dhe shumë nga këta të dyshuar ishin abuzues seksualë.
Përveç këtyre, një rrezik tjetër është ndarja e informacioneve private me njerëz të panjohur. Ka disa mënyra të lojës që shfaqin dhunë, tmerr dhe përmbajtje seksuale. Sipas një raporti të vitit 2015 nga Shoqata Psikologjike Amerikane (APA), përmbajtja e dhunshme në videolojërat është vërtetuar se rrit nivelet e agresionit te fëmijët. Për shembull, një nga lojërat më të njohura në Roblox quhet Survive the Killer, ku çdo lojtar duhet të fshihet nga një vrasës serial për të mos u bërë viktimë, ose ku një lojtar është vrasësi serial dhe duhet të gjuajë lojtarët e tjerë. Kjo lojë është vlerësuar si e përshtatshme për fëmijët e moshës nëntë vjeç e lart, por edhe fëmijët që janë brenda kufijve të përshtatshmërisë së moshës mund të kenë frikë ose ankth si rezultat i dhunës në atë lojë.