Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, që njëherësh është edhe kryetar i PDK-së, ka paralajmëruar partnerin qeverisës, LDK-në, se koalicioni mes tyre mund të përfundojë nëse ata nuk arrijnë që të votojnë çështjet me rëndësi në Kuvend.
“Unë pres shumë shpejtë që të kemi vendimmarrje të mëdha në Kuvendin e Kosovës. Nuk duhet të humbim kohë duhet të ketë vendimmarrje në këtë vend, pres shpejt që të kemi vendimmarrje shpejt në Kuvend dhe Qeveri, përndryshe hup kuptimi e një vazhdimësie politike dhe koalicionit” ka thënë Veseli.
Koalicioni qeverisës nuk po arrin që të votojë marrëveshjen e demarkacionit me Malin e Zi. Janë pikërisht një numër deputetësh të LDK-së të cilët hapur kanë kundërshtuar këtë marrëveshje, andaj në këto rrethana deklarata e Veselit duket të jetë një paralajmërim për deputetët e kësaj partie.
Zyrtarët qeveritarë kanë thënë se shpresojnë që demarkacioni të dërgohet gjatë këtij muaji në Kuvend./Insajderi.com