Ngritja e aktakuzave për ish-pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nga Gjykata Speciale, do të sjellë reagime të ashpra nga shoqatat e dala nga lufta. Kështu ka bërë të ditur kryetari i OVL UÇK-së, Hysni Gucati.
Gucati, muaj më parë ka kërkuar në Kuvendin e Kosovës që të bëhet plotësim-ndryshimi i Ligjit për Specialen, deri sa ka sqaruar se përse diçka e tillë nuk është kërkuar para votimit të Gjykatës.
“Asnjë pjesëtarë i UÇK-së nuk e ka pasur atë mundësi që të kryej krime lufte, apo krime ndaj njerëzimit, atë e ka pasur vetëm policia dhe ushtria serbe. Ne në Parlament kemi kërkuar që të bëhet plotësim-ndryshimi i Ligjit, që të futet në rend dite, këtë na kanë premtuar se Gjykata do të jetë e dyanshme”.
“Nuk ka të drejtë të formohet një gjykatë vetëm për një etni, janë shkelur Konventat ndërkombëtare. Nuk mundem t`i akuzoj shokët e mi, ish-kryetarët që kanë qenë, se ka pasur reagime me disa komunikata, por është dashur të reagohet më shumë, më fortë, e të mos lejohet që Parlamenti ta votojë këtë Gjykatë”, ka thënë ai.
Edhe kryetari i Këshillit për Mbrojtjen e Veteranëve të UÇK-së, Xhevdet Qeriqi, deklaroi se ngritja e aktakuzave të padrejta ndaj luftëtarëve të UÇK-së do të mund të sjellin reagime në vend.
“Po fillimin e ngritjes të aktakuzave ndaj ish luftëtarëve të UÇK-së,nga Gjykata Speciale,e shohim si një padrejtësi, si aktakuza të qëllimshme dhe politike”
“Pra është një tendencë dhe një qëllim, i Bashkësisë Ndërkombëtare që ta njollosin luftën e pastër çlirimtare të popullit shqiptar,dhe në anën tjetër, ta fshehin një krim të kryer nga ushtria dhe policia e Serbisë, në popullatën e pafajshme shqiptare”, ka thënë ai për Indeksonline.