Njësitet e Task Forcës – Lindje, Dogana dhe Policia e Kosovës kanë parandaluar një rast të kontrabandës me mallra, në kuadër të masave për luftimin e paligjshmërisë dhe kontrabandës.
Operacionet e intensifikuara janë realizuar në brezin kufitar RKS-RMV, në zonën që kufizohet me Hani Elezin.
Në datën 24 dhjetor 2024, gjatë orëve të mbrëmjes, njësitet e lartpërmendura kanë ndaluar një automjet me targa të RMV-së, të drejtuar nga një shtetas i Republikës së Maqedonisë së Veriut.
Gjatë kontrollit, janë hasur mallra të amvisërisë, për të cilat nuk ka pasur asnjë dokument të vlefshëm.
Sipas mbishkrimeve në paketimet e mallrave, dyshohet se ato janë sjellë ilegalisht në Kosovë.
Vlera e mallrave kap shifrën mbi 2000 euro.
Automjeti dhe mallrat janë sekuestruar dhe dërguar në terminalin doganor, ku do të vazhdojnë procedurat përkatëse nga autoritetet kompetente të Doganës së Kosovës.