Parim Olluri fiton çmimin e BE-së për gazetari hulumtuese - Insajderi
×
  • Lajme
  • Lajme

    Parim Olluri fiton çmimin e BE-së për gazetari hulumtuese

    Insajderi
    06 May 2016 - 16:59
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Drejtori i gazetës online e fokusuar në gazetari hulumtuese “Insajderi”, Parim Olluri, ka fituar çmimin e Bashkimit Evropian për gazetarinë hulumtuese  që ka për qëllim promovimin e të arriturave të larta të gazetarëve hulumtues, si dhe përmirësimin e cilësisë së gazetarisë hulumtuese në vendet e Ballkanit Perëndimor (Shqipëri, Bosnjë dhe Hergevoinë, Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi, Serbi) dhe Turqi.

    Olluri ka fituar çmimin e dytë për hulumtimin “Miku i Lushtakut Përfiton nga Vala” që shpërfaqë faktet sesi  vendosja e operatorit publik të telefonisë mobile “Vala” në Sheshin “Zahir Pajaziti” të Prishtinës  kthen në vëmendje një prej ndodhive më të tmerrshme të përmbysjes së autoritetit shtetëror. Objekti figuron në emër të Taip Sadikajt, personit që para 10 vjetësh bashkë me Sami Lushtakun penguan gjykatësin Sami Gërdovci që këtë objekt t’ua kthejë pronarëve.

    Hulumtimi ishte botuar në Gazetën Jeta në Kosovë.

    Vitin e kaluar çmimin e parë në këtë garë e kishte fituar, Vehbi Kajtazi, kryeredaktor i Gazetës “Insajderi”.

    Çmimin e parë e kanë fituar gazetarët Besnik Krasniqi dhe Ganimet Klaiqi, për hulumtimin “Universiteti ilegal ‘diplomatik’”.

    Çmimin e tretë e kanë fituar gazetarët Leonida Molliqaj dhe Besnik Boletini për hulumtimin me titull “Sot punon sot han” i botuar në gazetën hulumtuese “Preportr”.

    Në ceremoninë e ndarjes së çmimeve që u mbajt në Bibliotekën Kombëtare morën pjesë edhe Përfaqësuesi i BE-së në Kosovë, Samuel Zhbogar dhe Nehat Islami kryetar i Këshillit të Mediave të Shkruara  që e bashkë-organizon çmimin me BE-në.

    Ky çmim është themeluar nga Komisioni Evropian, Drejtoria Gjenerale për Zgjerim, duke ndjekur strategjinë për Zgjerim të BE-së, e cila parasheh nevojë të fuqishme për të siguruar lirinë e shprehjes në media, për mbështetje të gazetarisë hulumtuese në monitorimin e proceseve reformuese, si dhe për të ruajtur momentin historik drejt anëtarësimit në BE.

    Ҫmimi për gazetari hulumtuese do të ndahet çdo vit në shtatë shtete, për tre vite me radhë: në vitin 2015 (çmimi për punën dhe të arriturat në gazetari hulumtuese për vitin 2014), në 2016-ën (për të arriturat në vitin 2015) dhe në 2017-ën (për të arriturat në vitin 2016). Fondi i çmimit për shtatë vendet përfituese për tri vite do të jetë 210,000 Euro. Fondi i çmimit për çdo vit për secilin vend është 10,000 Euro; 1-3 gazetarë do të shpërblehen në çdo vend, çdo vit; shpërblimi për secilin gazetar do të jetë 3000-5000 Euro./Insajderi.com.


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark