Vite më parë Shaqir Totaj i PDK’së kishte premtuar ndërtimin e ‘Parkut të Biznesit’ në Prizren, por lokacioni ku ishte destinuar për këtë park ka përfunduar në gjendje të tmerrshme. Hapësira ku planifikohej për “Parkun e Biznesit” është kthyer në deponi mbeturinash.
Gazeta Insajderi
Në vitin 2017 Shaqir Totaj nga Partia Demokratike e Kosovës ishte kandidat për kryetar komunë në Prizren. Totaj atë vit kishte vizituar lokacionin që ishte i destinuar për Parkun e Biznesit, ndërmjet fshatrave Lubizhdë dhe Korishë.
Shaqir Totaj ishte shprehur se ky lokacion është një pikë e rëndësishme në kuadër të prioriteteve të tija, për Zhvillimin Ekonomik Lokal. Ky kishte qenë edhe një nga premtimet e Totajt i cili pati thënë se funksionalizimi i parkut të biznesit do të ndikonte në zhvillim ekonomik të qytetit. Për mënyrën se si do të funksionalizohej parku, për koston si dhe për mënyrën e shfrytëzimit të tij, nuk kishte dhënë detaje.
Por, janë bërë shtatë vite që nga premtimi i Shaqir Totajt, dhe ndërtimi i Parkut të Biznesit as nuk ka filluar. Madje lokacioni ku ishte destinuar për të është kthyer në deponi mbeturinash.
Siç shihet në pamje kjo hapësirë është në gjendje të tmerrshme.
FOTO nga lokacioni:
Lidhur me gjendjen e hapësirës së Parkut të Biznesit kanë reaguar edhe nga opozita në Prizren.
Nga Lidhja Demokratike e Kosovës dega Prizren kanë akuzuar qeverisjen aktuale, saktësisht qeverisjen e Shaqir Totajt.
“Këto janë pamjet e Parkut të Biznesit, i premtuar nga Shaqir Totaj, se do të funksionalizohet qysh në muajt e parë të qeverisjes së tij. Por mjafton ta vizitoni dhe do të shihni nga afër se kjo pjesë e dedikuar për biznese është kthyer në deponi mbeturinash dhe gjendja e saj është tmerruese. Hapsirat për biznese janë kthyer në djerrina dhe depo mbeturinash! Kjo tregon qasjen e papëgjegjshme dhe injoruese të kësaj qeverie dhe qeverisje ndaj bizneseve të Prizrenit, dhe mungesën e ideve për të krijuar kushte më të mira për ta“, thuhet në reagimin e tyre.
Gazeta Insajderi ka provuar të kontaktojë me komunën e Prizrenit, por deri në publikimin e këtij teksti nuk kanë kthyer ndonjë përgjigje.
Insajderi.org