×
  • Hulumtime/Analiza
  • Hulumtime/Analiza

    Parlamenti i Kosovës denoncon në Prokurori tjetërsimin e një prone të UP-së, përfshihet edhe Drejtori i Solidit

    Insajderi
    07 November 2024 - 15:51
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Kuvendi i Kosovës, që është organi më i lartë legjislativ në vend, ka deponuar në Prokurori një raport me të cilin denoncon për tjetërsim të një prone të Universitetit Publik. Dorë pas dore, një pjesë e pronës përfundoi edhe tek drejtori i firmës vendore të prodhimit të këpucëve, Solid, Shpejtim Kuqi dhe dy biznesmenë të tjerë

    Visar Duriqi

    “…lind pyetja dhe dyshimi  i bazuar, se si u tjetërsua prona publike në bazë të një Aktgjykimi të cilit askund nuk po i gjinden gjurmët e ekzistimit të tij”.

    Ky është njëri nga konstatimet- të gjeturat që Kuvendi i Kosovës ka deponuar në një raport dhjetë faqesh në Prokurori.

    Një kopje të këtij raporti  e ka siguruar Gazeta Insajderi, dhe aty Komisioni për Mjedis, Ushqim, Bujqësi, Planifikim dhe Zhvillim i Parlamentit ka kryer një hulumtim disa mujor për një tokë të Universitetit publik të Prishtinës “Hasan Prishtina”, e për të cilën sipas tyre ka dyshime të bazuara se është tjetërsuar me dokumente që dyshohet të mos jenë origjinale.

    Krejt përpilimi i këtij raporti që është deponuar në Prokurori, e sipas anëtares së këtij komisioni, Fitore Pacolli, deputete e Vetëvendosjes,  në deklarime të saja publike, Prokuroria është duke shqyrtuar dy raportet që deponuan, nisi kur komisioni mori shqetësime se një pronë mbi 60 ari është tjetërsuar. Pretendohet se duhej të ishte pronë e UP-së, Fakultetit Teknik, por tash del që është blerë nga tre biznesmenë.

    Del që tash këtë pronë e kanë Shpejtim Kuqi nga Suhareka, që është drejtor i firmës vendore për shitjen e mbathjeve- këpucëve, “Solid”.

    Pronar aktual, sipas raporti të Kuvendit të deponuar në Prokurori, janë edhe dy biznesmenë të tjerë: vëllezërit Betim e Kujtim Selmanaj.

    Gazeta Insajderi e ka kontaktuar Betim Selmanajn, i cili ka premtuar se do të dërgoi përgjigje me shkrim në lidhje me pretendimet e raportit të Kuvendit të deponuar në Prokurori, por edhe pas disa javësh pritjeje nuk ka dërguar asnjë koment në adresë të Gazetës Insajderi.

    Derisa një përgjigje e ka dhënë drejtori i kompanisë ”Solid”, Shpejtim Kuqi, i cili i pati thënë Insajderit që nuk ishte as në dijeni që është bërë ky denoncim.

    I pyetur për raportin që ka me Enver Krasniqin, nipin e gruas që mori me vendim gjyqi pronën që Kuvendi po pretendon se është e UP-së, Kuqi i ka thënë Insajderit se  ”nuk kam ndonjë raport dhe nuk e kam takuar asnjëherë, pasi që unë si Shpejtim Kuçi nuk jam blerës direkt, sepse prona është blerë nga Betim dhe Kujtim Slemanaj, unë e kam blerë pronën nga këta të dy, kështu unë Enverin as nuk e njoh dhe as nuk e kam takuar asnjëherë”.

    Ai thotë tutje se  nuk ka qenë në dijeni nëse ka pasur kontest rreth kësaj prone.

     ”…unë jam paraqitur pranë zyrës së Noterit, me dokumentet origjinale të nxjerrura nga organet kompetente të Republikës së Kosovës, kam pyet tek zyra e kadastrit për këtë qështje dhe kan verifikaur se gjithçka është në rregull, dhe pas kësaj jam drejtuar tek noteri me dokumentet origjinale (fletën poseduese) të lëshuar nga kadastri, sigurisht Noteri e ka bërë verifikimin e vlefshmërisë së dokumenteve dhe kemi bërë marrëveshjen bazuar në këto dokumente dhe ka kaluar prona në emër timin”, thotë Kuqi.

    I pyetur për paratë që iu kërkuan UP-së në emër të qirasë për këtë pronë, Kuqi thotë se ”dy blerësit e parë, kanë marrëveshje se e kanë blerë tokën më herët, kërkesa ka shkuar në emër të përbashkët, gjithashtu vini re në dokumentet e bashkangjitura të kërkesës, në emër timin figuron kërkesa për qira vetëm nga momenti kur unë jam bërë bashkëpronar”.

    Cka thuhet në raportin e Kuvendit të deponuar në Prokurori?

    Komisioni i Kuvendit  për Mjedis, Ushqim, Bujqësi, Planifikim dhe Zhvillim, që kryesohet nga Fitore Pacolli, deputete e parisë në pushtet, Vetëvendosje, për të bërë këtë raport, ka kryer një sërë hulumtimesh, takimesh e intervistash.

    Raporti është finalizuar në maj të vitit 2024, por aktivitetin si hulumtim e kanë nisur qysh në nëntor 2023, kur edhe bën vizitë në Rektorat të UP-së, e ku u takuan me zv, Rektoren e asaj kohë, Pranvera Breznica me bashkëpunëtor.

    “Që në fillim të takimit e njoftuam Zv. Rektoren për disa shqetësime të ngritura në Komisionin Parlamentar për Mjedis në lidhje me tjetërsimin e pronës publike te kompleksi i parcelave tek Fakulteti Teknik, përkatësisht parc.kad.nr.2725-1, z.kad. Prishtinë në sipërfaqe prej 68 ari e 41m²”, nis evidentimi i këtij rasti në raportin që ka përfunduar në Prokurori.

    Breznica u kishte thënë deputetëve në takim që “nuk din ndonjë informacion të shumtë në lidhje me çështjen e kësaj prone, përveç se ishte në dijeni që tani  bashkëpronarët e parc.kad.nr,…., z. Shpejtim… Kuqi nga Suhareka, Betim … Selmanaj nga Gllogjani dhe Kujtim …. Selmanaj nga Prishtina, ju kanë drejtuar me kërkesë nr. 1/615 datë 27.03..2023,  UP-së, Rektorit Prof Dr. Qerim Qerimi me kërkesë për arritjen e marrëveshjes  për kompenzimin e qirasë dhe njoftim për mundësinë e parashtrimit të padisë për kompenzim dëmi  dhe lirimin e pronës”.

    Shkresa zbulon se këta tre biznesmenë UP-së i kanë kërkuar në emër të qirasë pagesën mbi  2 milionë euro.

    Tutje deputetët vizituan Donat Lushakun, Drejtor i Drejtorisë për Kadastër në Komunën e Prishtinës, ku deputetët e njoftuan se ka shqetësim në lidhje me tjetërsimin e pronës publike sipas Aktgjykim P.br. 596/97 të datës 27.05.1998 i Gjykatës Komunale në Prishtinë, përkatësisht tjetërsimin e parc.kad.nr.2….-1, z. Kad. Prishtinë në sipërfaqe prej. 6841m²“.

    „Drejtori na njoftoi se  parc.kad.nr.2…-1 me sipërfaqe prej 6841m² deri në vitin 1999 ka qenë pronë komunale dhe është evidentuar sipas fletës poseduese  nr. 4…. , z. Kad. Prishtinë si: Pasuri Shoqërore, Shfrytëzues Kuvendi  Komunal  Prishtinë, vendi i quajtur “ madjar mala“ me kulturë arë e kl.3 me sipërfaqe prej; 6841m²“, thuhet në dokumentin që e ka Gazeta Insajderi.

    Gjithashtu, Komuna e Prishtinës e njftoi Kuvendin me historikun e pronës në fjalë.

    „… shihet qart se parc.kad.nr.2…-1 me sipërfaqe prej 6841m² ishte pronë e komunës së Prishtinës dhe e njëjta u tjetërsua  në bazë të kërkesës së datës 19.02.2002 me nr.301 e paraqitur nga ana e Azemine Sahiti , duke u bazuar  në Aktgjykimin  e lëshuar nga Gjtkata Komunale në Prishtinë me numër, P.br.596/97 datë 27.05.1998 dhe Autorizimi i vërtetuar  nga ana e Gjykatës Komunale në Prishtinë me numër Vr nr. 4715/2001 i datës 24.08.2001.Sipas Aktvendimit të lëshuar nga drejtoria e Kadastrit  nr,.952/358, datë 27.05.2003 parcela kadastrale nr. 2725-1, ka kaluar në emër të Enver Krasniqi duke u bazuar në Aktvendimin lëshuar nga Gjykata Komunale në Prishtinë  me nr. T. Nr.153/2003, i datës; 08.05.2003“, thuhet në raport.

    Gjithashtu historiati për këtë parcelë, sipas raporti të Kuvendit, sqaron se në bazë të Aktvendimit lëshuar nga Drejtoria e Kadastrait nr. 011-463-2/3430/21, datë 05.10.2021 parcela kadastrale  nr. 2725-1, z.kad, Prishtinë  ka kaluar në emër të Betim Selmanaj dhe Kujtim Selmanaj , duke u bazuar në Kontratën e shitblerjes së patundshmërisë dhe themelimin e bashkëpronësisë me nr. LRP .12501/2020 nr. Ref.2922/2020 datë 10.11.2020.

    „Sipas Akvendimit lëshuar nga Drejtoria e Kadastrit nr. 011-463-2/4816/21, dt, 21.12.2021 parc.kad.nr.2725-1, Shpejtim Kuçi hynë në bashkëpronësi  në sipërfaqen 3000/6841, duke u bazuar në kontratën mbi shitblerjen  e pjesës ideale dhe themelimin e bashkëpronësisë, noterizuar nga Noter. Sefedin Blakaj me nr. LRP, 16500/2021, nr. Ref.4463/2021, datë 26.10.2021 dhe kontratën civile për huan, noterizuar mga Noter. Sefedin Blakaj me nr. të LRP-së 6745/2021, nr. Ref,1791/2021, datë. 07.05.2021. Nga Drejtori i Drejtorisë së Kadastrës në Komunën e Prishtinës, së bashku me historiatin kemi pranuar edhe kopjen e shkresave të lëndës së bashku me kopjen e Aktgjykimit P.br.596/97 i datës 27.05.1998 i Gjykatës Komunale në Prishtinë“, thuhet tutje në raport.

    Sipas raportit të Kuvendit, në shkresat e lëndës gjinden Aktgjykimi P.br.596/97 i datës 27.05.1998 (fotokopje) ku ka elemente të shumta të dyshimita, kjo pasi që „kopja e planit nr.1476-7-98 e datës 18.12.1998, për pqarc.kad.nr.2725/1,  vendi i quajtur“ urbanisticka 3, klasa3“ me sipërfaqe 68 ari e 41m²  dhe përshkrimi i fletës poseduese nr. 4137  i datës 18.12.1998 (kopje), për parc.kad. nr.2725/1 vendi i quajtur “ Prishtina, jastrebaçka1“, kultura pllac,  me sipërfaqe prej 68 ari e 41m² , të lëshuara nga shërbimi i kadastrit të palujtshmërive në Prishtinë të asaj kohe ( viti 1998), Ekstrakti nga fletposedimi  nr. 4137 , i datës 23. 07.2002 për parc.kad.nr.2725/1, z.kad. Prishtinë , vendi i quajtur “ madjar mala“ me kulturë arë e kl.3 me sipërfaqe prej 68 ari e 41m²“.

    Nga ekstrakti i fletëposedimit nr.4137 të datës; 23.07.2002 dhe përshkrimi i fletës poseduese nr.4137 të datës 18.12.1998 dhe kopjes së planit e datës 18.12.1998 te potezi- „vendi i quajtur kemi tri emëtime të ndryshme, ndërsa i sakti është në ekstraktin nga fletposedimi 4137 për parc.kad.nr.2725/1, Pasuri Shoqërore: Shrytëzues Kuvendi Komunal Prishtinë, lëshuar me datë 23.07.2002, lëshuar nga Drejtoria për Kadastër pranë Komunës së Prishtinës. Në kopjen e Autorizimit të dhënë nga znj. Azemine Sahiti z. Enver Shaqir Krasniqit , vërehet se është vendosur vetëm shenja e gishtit tregues, pa datë dhe pa shenime të letërnjoftimit për identitetin e znj. Azemine Sahiti“, thuhet në raport.

    Cka gjetën deputetët në arkiva për këtë pronë?

    Deputetët që përgaditën këtë raport bënë vizita nëpër arkiva. Ata i njoftuan punonjësit e arkivave që Gjykata Themelore në Prishtinë iu ka thënë që vendimin gjyqësor me të cilin u bart kjo pronë ta kërkojnë te Arkivi Ndërkomunal i Prishtinës dhe Arkivi Shtetëror i Kosovës ”për të kërkuar Origjinalin eventual të këtij Aktgjykimi”.

    Sipas deputetëve, pas bisedave që patëm me përfaqësuesit përgjegjës të Arkivit Komunal dhe të Arkivit Shtetëror të Kosovës, ”të njëjtit na thanë se në Arkivin Komunal të Prishtinës dhe në Arkivin Shtetëror të Kosovës, nuk ekziston asnjë gjurmë dhe as Origjinali i Aktgjykimit P.br.596/97 datë¸027.05.1998 i Gjykatës Komunale në Prishtinë”.

    ”Konfirmimin  se nuk ekziston asnjë gjurmë dhe as Origjinali i Aktgjykimit të njëjtit e kanë konfirmuar në formë elektronike me datë 05.02.2024, ku shkruan : Po JU informojmë se pas hulumtimeve të bëra nga Arkivi Ndërkomunal Prishtinë, erdhëm në përfundim që; Lënda Civilie për Aktgjykimin” p.br.596/97 i Gjtkatës komunale në Prishtinë dt. 27.5.1998. Kjo lëndë mungon”, thuhet në raport.

    Tutje deputetët patën shkuar edhe te një yrtar i Agjencionit të Regjistrimit Civil, pranë MPB- së. ku kishim kërkuar nga ARC “informacione për znj. Azemine Sahiti nga Prishtina. Përgjigjja e zyrtarit të Agjencionit të regjistrimit civil për znj. Azemine Sahiti, ishte: Sipas kërkimeve në Regjistër Qendror të Gjendjes Civile me këto të dhëna nuk kemi asnjë informim, në vazhdimsi keni rezultatin e kërkimit dhe dokumentin e bashkangjitur, datë 6 shkurt 2024”, thuhet në raport.

    Pasi bënë krejt këto përpjekje, deputëtë erdhën në përfundim që në Prokurori duhet ta dërgojnë raportin, dhe atë me 10 konstatime.

    Sipas Historiatit për parcelën në fjalë, sipërfaqja 68 ari e 41 m² është tjetërsuar me datë 19.02.2002,  në bazë të kërkesës nr. 301, nga ana e znj. Azemine Sahiti nga Prishtina.

    Tjetërsimi i parcës në fjalë nga prona publike, në emër të Azemine Sahiti, është bërë në bazë të Aktgjukimit P.br.596/97, datë 27.05.1998, i Gjykatës Komunale në Prishtinë, e ku sipas raportit të Kuvendit dërguar në Prokurori, ata nrenë dyshime që “ka elemente të shumta që na bënjë të dyshojmë në saktësisnë dhe ekzistimin e këtij Aktgjykimi”.

    “Pas tjetërsimit të pronës në bazë të Aktgjykimit P.br. 596/97, datë 27.05.1998 , e njëjta është trashëguar në vitin 2003 dhe pastaj është shitur në vitin 2020 tek personat e tjerë. Sipas historiatit të pranuar nga Drejtoria për Kadastër pranë Komunës së Prishtinës, tani parc.kad.nr.2…-1 me sipërfaqe prej 68 ari e 41 m², evidentohet në emër të tre bashkpronarëve”, thuhet në pikën katër e pesë të të gjeturave të raportit.

    Në pikën gjashtë Kuvendi u fokusua në atë që Shpejtim Kuqi dhe Betim e Kujtim Selmanaj nga Prishtina të cilët kërkojnë nga ana e UP- së, në emër të qirasë ,të paguajnë shumën prej  mbi 2 milionë eurosh.

    Kërkesa kishte ardhur e llogaritur që nga viti 2010 dhe duke i cekur objektet “që gjoja se ekzistojnë që nga viti 2010, si objektet e laboratorëve të Fakukltetit të Inxhinjerisë Elektrike dhe Kompjuterike, Fakulteti Teknik, Fakulteti i Ndërtimtarisë dhe Fakulteti i Inxhinjerisë Mekanike, ndërsa Kontrata mbi shitblerjen është e vitit 2020 ( Nr. LRP 12501/2020 , nr. Ref. 2922/2020 datë 10.11.2020), ndërsa në kërkesë potencojnë objektet e lartëcekura që nga viti 2010 që kanë ekzistuar në parcelën të cilën e kanë blerë në vitin 2020. Shtrohet pyetja si e patën guximin ta blejn pronën “Fakultetit” në vitin 2020 me objektet të cilat veq se i kanë cekur në kërkesën e tyre se kanë ekzistuar që nga viti 2010, e ndoshta këto objekte kanë ekzistuar edhe më herët, të cilat mund të verifikohen në lejet ndërtimore”, thuhet tutjue në raport

    Në pikën shtatë të raportit ata kanë ri-potencuar faktin që vendimi me të cilin është marrë kjo pronë, iu del që në Arkiv nuk gjendet.

    “Nga ky fakt lind pyetja dhe dyshimi  i bazuar, se si u tjetërsua prona publike në bazë të një Aktgjykimi të cilit askund nuk po i gjinden gjurmët e ekzistimit të tij”, thuhet tutje në raport.

    Krejt në fund deputetet denoncojnë në Prokurori se “në bazë të këtij Aktgjykimi prona është tjetërsuar dhe ka kaluar në emër të Azemine Sahiti nga Prishtina, për të cilën kemi kërkuar informacione në Agjencionin e Regjistrimit Civil pranë MPB– së, për të cilën na është thënë se nuk ekziston asnjë informacion për Azemine Sahitin, për të cilën sipas Aktvendimit të Trashëgimisë  shkruan se është e lindur me 07.06.1918 në Kolovicë kurse ka vdekur me 09.03.2002 në Prishtinë si dhe bashkëshorti i saj Osman Sahiti  ka vdekur me datë 18.05.1968 në Koliq, që nënkupton se e njëjta ka jetuar 84 vjet dhe në bazë të këtyre të dhënave  mbi datën e lindjes së Azemine Sahitit, Agjencioni i Regjistrimit Civil ka thënë se ky person nuk ekziston!!”, konstatohet në raport,

    Ndërsa nga kopjet  në shkresat e lëndës të pranuara nga Drejtoria e Kadastrit  shihet se është bërë një shqyrtim i trashëgimisë  T.nr.153/2003 ,dt.08.05.2003, ku në atë shqyrtim të trashëgimisë shkruan se Gjykata shpall Enver Krasniqin, nipi i trashëgimlanses në tërë pasurinë trashëgimore, që në rastin konkret është përshkruar vetëm parc.kad.nr.2725-1, z.kad.Prishtinë me sipërfaqe prej 68 ari e 41m²;

    10. Të gjeturat e paraqitura në këtë Raport si dhe Konfirmimi  për mos ekzistimin  e Aktgjykimit P.br.596/97 dt.27.05.1998, as në Gjykatën Themelore në Prishtinë, as në Arkivin Ndërkomunal Prishtinë dhe as në Arkivin Shtetëror të Kosovës japin elemente të mjaftueshme për të dyshuar se tjetërsimi i pronës publike në rastin konkret u bë në mënyr të Kundërligjshme.

    “Pretendohet se raste të tilla dhe të ngjashme të tjetërsimeve dhe keqpërdorimeve me pronat publike  të shtetit të Kosovës të kenë ndodhur  shumë deri më sot dhe ky rast ndoshta është një nga shumë raste që dyshohet të kenë ndodhur  në shtetin tonë, andaj nga ky takim ju bëjmë thirrje institucioneve të shtetit- Hetuesisë dhe Prokurorisë që urgjentisht të merren me rastin e tjetërsimit të Pronës publike, parc.kad.nr.2725-1, z.kad. Prishtinë me sipërfaqe prej 68 ari e 41m² dhe që të gjithë ata që abuzuan dhe keqpërdorën me pronën publike të qytetarëve të Kosovës të vihen para organeve të drejtësisë”, thuhet në fund të raportit.

    Lexo edhe:

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark