Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve në korrik të këtij viti ka shpërndarë gjoba për disa subjekte politike. Ndër të gjobiturat ka qenë edhe Lista Guxo, me të cilin bashkëudhëheqin ministrat Faton Peci dhe Donika Gërvalla. Gjoba është e vlerës katër mijë euro.
Në arsyet që ka dhënë KQZ’ja për gjobën në vlerë prej katër mijë eurosh thuhet se Lista Guxo s’e ka deklaruar asnjë të hyrë as shpenzim më 2023-ën. Mirëpo, KQZ ka gjetur se ata kanë shfrytëzuar një lokal si zyrë për selinë qëndrore të partisë, raporton Gazeta Insajderi.
“Subjekti politik edhe pse ka raportuar që nuk ka pas asnjë shpenzim e as të hyrë, gjatë vitit 2023, nga verifikimi i dokumentacionit të dorëzuar në Zyrë, konstatohet se subjekti politik ka shfrytëzuar një lokal si zyrë për selinë qendrore gjatë vitit 2023, por të njëjtin nuk e ka pasqyruar si të hyrë nga kontributi në natyrë, në mallra dhe shërbime, por as si shpenzim nga qiraja”, thuhet në vendimin e KQZ’së.
Lista Guxo është obliguar që pagesën ta kryejë përbrenda 30 ditësh. Në rast të mos-ekzekutimit të pagesës së gjobës, KQZ e dërgon rastin tek përmbaruesi privat.
Pa gjobë ska shpëtuar as IRDK’ja, partia të cilën e udhëheq ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqit.
Në arsyet që ka dhënë KQZ’ja për gjobën në vlerë prej katër mijë eurosh, të datës 12 korrik, thuhet se më 17 tetor të vitit të kaluar nga llogaria bankare e subjektit politik janë tërhequr dy mijë euro, për të cilat partia e Elbert Krasniqit nuk ka dhënë ndonjë arsyetim.
“Me datën 17.10.2023, nga llogaria bankare e subjektit politik, janë tërhequr mjete financiare në vlerën (dy mijë) 2,000 euro, për të cilën tërheqje është dhënë arsyetimi për pagesën e faturave. Për tërheqjen e mjeteve financiare, subjekti politik nuk ka ofruar dokumentacion mbështetës që e arsyetojnë shpenzimin apo pagesën e faturave në fjalë”, thuhet në vendimin e KQZ’së.
“Dështimi për të prezantuar dokumentacionin mbështetës për shpenzimet e bëra nga subjekti politik paraqet shkelje të nenit 15 të LFSP dhe dënohet në përputhje me nënparagrafin 4, paragrafi 6 i nenit 21 të LFSP”, vijon vendimi.
IRDK është obliguar që pagesën ta kryejë përbrenda 30 ditësh. Në rast të mos-ekzekutimit të pagesës së gjobës, KQZ nuk i transferon mjetet financiare nga Fondi për Mbështetjen e Subjekteve Politike në shumën e gjobës së shqiptuar.
Gjoba u shqiptuan edhe për partitë politike sikurse PDK’ja, LDK’ja në korrik të këtij viti. /Insajderi.org/