
Lëvizja Vetëvendosje ka zyrtarizuar kandidaturën e Ilir Qeriqit për kryetar të Komunës së Lipjanit, në zgjedhjet lokale të 12 tetorit. Qeriqi, i cili ka pasur një karrierë të gjatë në sektorin e sigurisë, ka vendosur t’i futet politikës, i është bashkuar partisë së Albin Kurtit, shkruan Insajderi.
Zyrtarizimi i kandidaturës është bërë të hënën, më 14 korrik, në një takim me strukturat organizative të VV-së në Lipjan, ku i pranishëm ishte edhe kryeministri Kurti.
Në njoftimin zyrtar të partisë thuhet se Qeriqi “sjell me vete vendosmërinë, ndershmërinë dhe përkushtimin që i duhet një drejtuesi lokal”.
Ilir Qeriqi ka qenë pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, më pas ka shërbyer si atashe ushtarak në Shtetet e Bashkuara dhe ka mbajtur pozitën e Shefit të Shtabit të Forcës së Sigurisë së Kosovës.
Ai po shihet nga VV si kandidati që do t’i japë Lipjanit një drejtim të ri, “nga qytetarët, për qytetarët”.
“Me Ilirin dhe Vetëvendosje-n, Lipjani do të ketë zhvillimin dhe progresin që i nevojitet. Të gjithë qytetarët, në çdo lagje dhe fshat, le të bashkohemi për ta hapur një faqe të re për komunën”, thuhet në njoftimin e VV-së.
Pas 27 viteve në shërbim të uniformës, Ilir Qeriqi i bashkohet politikës
Pas më shumë se dy dekadash në shërbim të ushtrisë dhe sigurisë në Kosovë, Ilir Qeriqi ka vendosur të ndërpresë karrierën ushtarake dhe t’i hyjë politikës.
Më 7 korrik, Qeriqi njoftoi publikisht përfundimin e shërbimit të tij aktiv në Forcën e Sigurisë së Kosovës, duke e përmbyllur një rrugëtim 27-vjeçar që nisi me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, vijoi përmes Trupave Mbrojtëse të Kosovës dhe u kurorëzua me pozita të larta brenda FSK-së.
“Pas 27 viteve të përkushtimit dhe shërbimit ndaj atdheut tim… ka ardhur koha që të përmbyllet një kapitull i rëndësishëm i jetës sime,” shkroi Qeriqi në deklaratën e tij publike.
Ai u shpreh i nderuar që kishte pasur privilegjin të shërbente në të gjitha fazat e sigurisë së Kosovës, duke e quajtur uniformën “nder të përjetshëm”.
Qeriqi falënderoi bashkëluftëtarët, kolegët, komandantët dhe qytetarët për mbështetjen gjatë gjithë karrierës së tij dhe potencoi se do të vazhdojë të kontribuojë për vendin në forma të tjera, jashtë uniformës.
Tani, me Lëvizjen Vetëvendosje.
Zgjedhjet lokale pritet të mbahen më 12 tetor, ndërsa Komuna e Lipjanit njihet si një bastion tradicional i Lidhjes Demokratike të Kosovës, e cila udhëhiqet prej disa mandateve nga kryetari aktual, Imri Ahmeti.
Mbetet të shihet nëse në këto zgjedhje do të ketë ndryshim politik në këtë komunë apo nëse LDK do ta ruajë sërish epërsinë.
/Insajderi