
Një qytetar nga Prishtina ka arritur ta fitojë betejën ligjore ndaj Policisë së Kosovës, pas gati pesë muajsh përballje me një gjobë të cilën ai e konsideronte të padrejtë, shkruan Insajderi.
Bëhet fjalë për qytetarin B.S., i cili ishte dënuar më 20 dhjetor 2024 nga Njësia e Stacionit Policor në Kamenicë për, siç pretendohej, kundërvajtje në trafik, me arsyetimin se kishte parkuar veturën në mënyrë të parregullt në fshatin Hodonoc, Komuna e Kamenicës.
Për këtë shkelje, atij iu shqiptua një gjobë në vlerë prej 150 eurosh.
Megjithatë, qytetari e kundërshtoi vendimin, duke e cilësuar të pabazuar dhe duke kërkuar shqyrtimin e rastit nga Komisioni për Vendosje në Policinë e Kosovës.
Në vendimin që e ka siguruar Gazeta, pas shqyrtimit të provave dhe dëgjimit të palëve në seancën e mbajtur më 23 janar 2025, Komisioni vendosi se kundërshtimi i qytetarit ishte i bazuar, dhe se nuk kishte prova të mjaftueshme që ai kishte kryer kundërvajtjen për të cilën ishte ndëshkuar.
Si rezultat, Komisioni vendosi të pushojë procedurën e kundërvajtjes, duke shfuqizuar vendimin ndëshkues të marrë më 20 dhjetor 2024 nga Njësia Policore në Kamenicë.
Policët që gjobitën padrejtësisht qytetarin B.S. janë Lindrit Mavriqi dhe Drin Canaj.
Qytetari rastin e kishte denoncuar në redaksinë e Gazetës Insajderi. Rasti, kishte ndodhur me policinë e trafikut rrugor në Kamenicë.
Ai ishte ndaluar nga policia derisa po drejtonte veturën.
Shoferi kishte pretenduar se rripin e sigurisë e kishte të vendosur në mënyrë të rregullt, megjithatë ishte dënuar nga patrulla policore për të kundërtën.
Qytetari kishte deklaruar për Insajderin se në momentin e ndalimit e kishte të vendosur rripin e sigurisë.
Ai kishte dërguar edhe disa pamje filmike nga momenti i bisedës me patrullën e policisë.
Në video vërehej qartë se qytetari e kishte të vendosur rripin e sigurisë.