Pas 7 muajve qëndrimi në kufi me Preshevën, autoritet serbe kanë vendosur që t’i kthejnë mbrapsht librat shqip të dërguar nga Kosova në Serbi e që ishin ndaluar në kufi.
Siç raporton Insjaderi, shqiptarët e Luginës së Preshevës madje kanë munduar që edhe fizikisht t’i ndalin librat që të mos kthehen në Kosovë. Mësues e fëmijë të fshatit Koncol kanë bllokuar për disa minuta rrugën Bujanoc-Gjilan por protesta e tyre ka shkuar huq. Librat janë kthyer në Kosovë.
Pjesë e protestës ka qenë edhe Jonuz Musliu, Kryetar i Këshillit Kombëtar Shqiptar, sipas të cilit ky vendim i Qeverisë së Serbisë është vendim anti shqiptar.
“Qe 7 muaj janë tekstet mësimore në terminalin e Preshevës, nuk është zgjidhur problemi i teksteve shkollore nga klasa e parë në të tetën, për një arsye vetëm pse janë libra shqip”, ka thënë Musliu.
Ai ka një kërkesë urgjente për Republikën e Kosovës.
“Kërkoj nga Republika e Kosovës që asnjë tekst shkollor i Republikës së Serbisë të mos mësohet në Republikën e Kosovës. Kjo është kërkesa e shqiptarëve të Luginës së Preshevës, është kërkesë e nxënësve, kërkesë e popullit shqiptar”.
Por Insajderi kishte raportuar me 4 shkurt të këtij viti sesi Komuna e Mitrovicës se Veriut, ka pranuar këtë fillimit një kontingjent me libra dhe materiale tjera shkollore, si donacion nga ndërmarrja publike “Zavod za Udzbenike” nga Beogradi, që funksionon si shtëpi botuese e librave dhe teksteve shkollore, raporton Insjaderi.
Madje krejt ky proces i futjes së këtyre librave në Kosovë është bërë nëpërmjet rrugëve zyrtare.
Qeveria e Kosovës e kishte propaganduar si njërin ndër hapat më të rëndësishëm në normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, kur në shtator të vitit të kaluar kishte nisur drejt Preshevës, Medvegjës e Bujanocit dy kamion të mbushur me më se 100 tekste shkollore në gjuhen shqipe.