Pas amerikanëve edhe Britanezët 'hetojnë' institucionet kosovare: Mungon transparenca, ndërmarrjet publike menaxhohen keq - Insajderi
×
  • Lajme
  • Aktuale

    Pas amerikanëve edhe Britanezët ‘hetojnë’ institucionet kosovare: Mungon transparenca, ndërmarrjet publike menaxhohen keq

    Insajderi
    14 April 2022 - 18:17
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Ambasada Britanike ka ftuar Organizatat e Shoqërisë Civile në Kosovë që të dorëzojnë propozimet për t’u bërë zbatues të Fondit të Stabilitetit dhe Sigurisë së Konflikteve.

    Siç bëhet e ditur në njoftimin që është publikuar edhe në faqen zyrtare të Qeverisë Britanike, krejt kjo bëhet si pjesë e projektit “Mbështetja e shoqërisë civile për të rritur mbikëqyrjen publike dhe llogaridhënien e institucioneve publike të Kosovës”, për vitet 2022-2025.

    Por në këtë njoftim, thuhet se institucionet e Kosovës mbeten joefikase dhe u mungojnë kapacitetet për të ofruar shërbime e punë cilësore.

    “Derisa Kosova ka ndërmarrë shumë reforma që nga pavarësia e saj, ajo ende renditet e dyta si më e ulëta në mesin e vendeve të Ballkanit Perëndimor në të gjithë Treguesit e Qeverisjes Botërore të Bankës Botërore 2020. Progres i kufizuar është bërë edhe në rritjen e transparencës dhe llogaridhënies së institucioneve publike, sa i përket proceseve të rekrutimit, prokurimit publik, dhënies së granteve dhe subvencioneve, licencave dhe tarifave dhe menaxhimit të ndërmarrjeve publike (NP)”, thuhet në këtë njoftim.

    Mes tjerash, Britania e Madhe thekson se “kjo situatë ka lejuar që vendimet të merren për t’u shërbyer interesave specifike dhe jo nevojave të qytetarëve”, shkruan Demokracia.com

    Në fund të njoftimit, thuhet se “Ambasada Britanike në Prishtinë kërkon të punojë me organizatat e shoqërisë civile të Kosovës për të adresuar këto praktika të dobëta të qeverisjes në institucionet dhe ndërmarrjet publike, mbizotërimin e nepotizmit në rekrutimin e zyrtarëve të lartë publikë, korrupsionin në prokurimin publik, keqmenaxhimin e Ndërmarrjeve Publike, ryshfetet e dhëna dhe përfitimin nga grantet e subvencionet që janë shpërndarë në mënyrë të paligjshme”.

    Objektivi i përgjithshëm i kësaj ndërhyrjeje është që të rrisë mbikëqyrjen e shoqërisë civile mbi institucionet, agjencitë dhe ndërmarrjet publike të qeverisë së Kosovës.

    Ambasada britanike ka bërë të ditur se mbikëqyrja do të fokusohet në zonat e cenueshme ndaj keqpërdorimeve, duke përfshirë: proceset e rekrutimit, praktikat e prokurorimit publik, dhënien e licensave, shpërndarjen e granteve dhe subvencioneve, qeverisjen dhe përformancën e Ndërmarrjeve Publike.


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark