
Protesta e javës së kaluar nga Njësiti Elitar i Policisë së Kosovës është anuluar, kjo për shkak se kryeministri i vendit, Albin Kurti iu kishte premtuar takim. Dita e takimit nuk është caktuar ende.
Gazeta Insajderi ka kontaktuar kryetarin e Sindikatës së Policisë së Kosovës, Imer Zeqiri i njëjti tha se nuk kanë ende ndonjë datë.
“Sindikata e Policisë së Kosovës nuk është njoftuar deri më tani për mbajtjen e takimit”, ka thënë Zeqiri.
Insajderi ka kërkuar përgjigje edhe Qeveria e Kosovës, por të njëjtit deri tani nuk kanë kthyer përgjigje.
Pakënaqësitë lidhur me shtesat e rrezikshmërisë i kanë nxjerrë në rrugë, para dy javësh, pjesëtarët e Njësive më Elitare të Policisë së Kosovës, Njësisë Speciale Intervenuese (NJSI) dhe Njësisë për Trajtimin e Mjeteve Eksplozive (NJTME).
Të veshur në uniforma, por pa armë, ata protestuan para objektit të Qeverisë së Kosovës me tri kërkesa kryesore: kategorizimin si njësi të veçanta dhe përfshirja në listën e ekspertëve, rrezikshmëria të përcaktohet në 50 për qind të pagës bazë dhe që të ketë shtesa për kushte specifike të punës.
Një tjetër protestë u paralajmërua nga ta për të martën e javës që shkoi (07.11.2023), por po atë ditë Policia njoftoi se protesta është pezulluar përkohësisht.
Ky vendim erdhi pasi kryeministri Albin Kurti u premtoi atyre takim zyrtar për t’i diskutuar kërkesat e tyre dhe për të gjetur një zgjidhje.
Mbetet të shihet se kur do të mbahet takimi dhe cila do të jetë zgjidhja, nëse do të ketë.
/Insajderi