Gjykata e Apelit ka vënë masën e paraburgimit prej dy muajsh për Naser Kelmendin, i akuzuar për vrasje të rëndë, krim të organizuar dhe trafikim me drogë, duke e anuluar vendimin e Gjykate Themelore në Prishtinë, që i dha Kelmendit masën e arrestit shtëpiak.
Zëdhënësi i Gjykatës së Apelit, Arbër Jashari tha se kjo gjykatë i caktoi Kelmendit masën prej 2 muajsh paraburgim që llogaritet të jetë deri më 3 qershor.
”Një kolegj penal i Gjykatës së Apelit të Kosovës, i përberë nga dy gjyqtarë ndërkombëtarë të EUELX-it dhe një gjyqtar vendor, ka aprovuar me 13.04.2017, ankesën e prokurorisë kundër Aktvendimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë të datës 03.04.2017. Aktvendimi i Gjykatës Themelore është anuluar, ndërsa ndaj të pandehurit Naser Kelmendi, është urdhëruar masa e paraburgimit prej 2 muajve, deri me 03.06.2017” thuhet në njoftimin e Jasharit.
Sipas Jasharit, Gjykata e Apelit ka gjetur se ekzistojnë shkaqe ligjore të parapara në dispozitat e Kodit të Procedurës Penale të Kosovës, për caktimin e kësaj mase ndaj Naser Kelmendit.
Kelmendi akuzohet në nëntë pika të aktakuzës së ngritur nga një prokuror special i EULEX-it.
Prokuroria pretendon se Kelmendi në bashkëkryerje me Fahrudin Radonçiqin, Ekrem Lekiqin, Muhamed Ali Gashin, Milovan Jeremiqin, Lubisha Buhan “Çume”, Milan Ostojiqin, “Sandokanin”, Naser Oriqin, Senad Sahinpasiqin, Nebojsha Vukomanoviqin, Raseta Stranjan, Benjamin Halimoviqin, Edin Ahmetshahiqin dhe të tjerë, ka organizuar, formuar, mbikëqyrur, udhëhequr dhe apo drejtuar grupin kriminal të organizuar dhe të strukturuar, apo ka marrë pjesë aktivisht në këtë grup të organizuar kriminal për vrasjen e kryegangsterit rival Ramiz Delaliq- “Çelo”./Insajderi.com