“Rreth dhjetë ditë më parë, mora vesh nga qarqet ndërkombëtare se ekspertiza kishte ardhur nga Gjermania e cila i vërteton rrethanat dhe e zbardhë vrasjen e Oliver Ivanoviqit”, ka thënë kryetarja e Lëvizjes Evropiane të Serbëve të Kosovës, Rada Trajkoviq për gazetën serbe “Danas”.
“Edhe pse jam e shokuar edhe tani, disi e dija që kjo do të ndodhte”, ka komentuar Trajkoviq lajmin, i cili u shfaq shtatë ditë me vonesë në publikun vendas, se gruaja e Ivanoviqit të vrarë, Millena Popoviq, anëtare e Partisë Përparimtare Serbe të Vuçiqit, është larguar nga seanca e Kuvendit serb të mbajtur për Kosovën ku edhe ka folur Aleksandar Vuçiqi, për shkak të pranisë së Millan Radoiçiqit, i dyshuar për vrasjen e burrit të saj.
Dje, gati një javë pas largimit nga seanca e parlamentit, Millena Popoviq ka deklaruar për agjencisë serbe të lajmeve Beta, se ekzistojnë arsyet të cilat nuk dëshiron të komentojë dhe shpjegojë, dhe për shkak të së cilave ajo nuk dëshiron të qëndrojë në të njëjtën hapësirë me Millan Radoiçiqin.
“Hetimi për vrasjen e burrit tim është një proces shumë i komplikuar. Unë e di që organet tona hetimore po punojnë në zgjidhjen e çështjes dhe absolutisht besoj se urdhëruesit, organizatorët dhe autorët e vrasjes së Oliver Ivanoviqit do të zbulohen”, ka thënë Popoviq./Insajderi.org.