Pas SHBA kanë reaguar edhe ambasadat e Britanisë së Madhe në Mal të Zi dhe Bosnje dhe Hercegovinë kundër deklaratës së ministrit të drejtësisë së Malit të Zi Vlladimir Leposaviq.
Të përkujtojmë se ministri malazes i drejtësisë, Vlladimir Leposaviq, kishte relativizuar gjenocidin në Srebrenicë, pas së cilës pasuan reagimet nëpër botë.
“Mbretëria e Bashkuar mbetet e qartë në qëndrimin e saj shumëvjeçar që ajo që ndodhi në Srebrenicë ishte gjenocid”, qëndron në një deklaratë të përbashkët të ambasadores britanike në Malin e Zi Karen Maddocks dhe ambasadorit britanik në Bosnjë dhe Hercegovinë, Matthew Field.
Kjo u publikua në llogarinë në Twitter të ambasadës britanike në Mal të Zi.
“Këto fakte janë vërtetuar para dy gjykatave ndërkombëtare në bazë të provave të shumta. Ne mund të shkojmë përpara vetëm me pranimin dhe respektin për të kaluarën”, kanë thënë Maddox dhe Field në një deklaratë të përbashkët.
Në seancën e Parlamentit të Malit të Zi më 26 mars, ministri i drejtësisë, të drejtave të njeriut dhe të pakicave në Qeverinë e Malit të Zi, Vlladimir Leposaviq, relativizoi vendimin e Tribunalit Ndërkombëtar të Krimeve të Luftës mbi gjenocidin në Srebrenicë, duke deklaruar se “ai ishte bazuar në pozicionin e Tribunalit të Hagës, i cili është i kompromentuar sepse i ka fshehur provat e krimeve kundër serbëve në Kosovë”!
Qeveria, pjesë e të cilët është edhe URA e Dritan Abazoviqit, nuk ka asnjë koment për deklaratën e tij.
Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës kërkoi që Qeveria të dënojë pa mëdyshje masakrën në Srebrenica dhe ta quajë atë gjenocid. Deklarata e Leposaviqit u dënua nga presidenti i Malit të Zi Milo Gjukanoviq, partitë politike dhe sektori civil, por jo edhe nga qeveria proserbe e Malit të Zi./Insajderi.org.