Një ditë pasi deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Enver Dugolli njoftoi për konfrontimin direkt me vajzën e UDB-ashit Ajet Istogu, e njëjta siç mëson Gazeta Insajderi, është suspenduar.
Inspektorati Policor i Kosovës ka rekomanduar suspendimin e vajzës së Ajetit, Suzana Istogut nën dyshimin se ka kryer veprën penale “kanosje”.
Bëhet me dije se hetuesit e IPK-së në koordinim me Prokurorin kanë ndërmarrë disa veprime hetimore përderisa rasti vazhdon të trajtohet në procedurë të rregullt.
Çka tha Dugolli dje?
Deputeti Enver Dugolli, tha se dje në rrugë i doli bija e Ajet Istogut, për të cilin ai kishte rrëfyer se e kishte torturuar gjatë qëndrimit të tij në burg.
Dugolli, në një postim në “Facebook” tha se e njëjta e ka ndaluar gjatë pauzës së drekës, dhe i është prezantuar si police.
“Trashëgimtarët e UDB-ashëve s’ndjejnë keqardhje për të bëmat e baballarëve të tyre. Diku rreth orës 13:30, në kohën kur kryesuesja e parlamentit shpalli kohën e pauzës për drekë, unë dola nga hyrja e deputetëve dhe së bashku me një koleg timin deputet po nxitonin për të drekuar. Menjëherë aty tek laura e parkingut, një zonjë nxiton në drejtim timin duke më thirrur; ”z.Dugolli, a mund të ndaleni se kam një bisedë”, shkroi ai në Facebook.
Suzana Istogu, sipas tij i ka kërkuar llogari për deklaratat që i ka dhënë për babain e saj.
“Thënë të drejtën njëherë më shkoi mendja që paska dalur të më shprehte keqardhje për ato tortura që m’i kishte shkaktuar prindi i saj, Ajet Istogu, por shumë shpejtë e kuptova që ajo veç keqardhje nuk kishte dalur të më kërkonte. Gjithnjë me mirësjellje i drejtohem: Po, është e vërtetë se kam thënë qe më vije keq për fëmijët e tyre, sepse besoj qe fëmijët nuk janë fajtorë për prindërit e tyre, aq më tepër që fëmijët nuk mund t’i zgjedhin baballarët. Ajo me një lloj shpërfillje ma kthen: ”Nuk është në rregull qe e përmendni babain tim Ajet Istogu, Ajet Istogu…sepse unë e njoh babain tim…”, tha Dugolli.
Tutje, ai bëri të ditur se ka vendosur që këtë rast ta lajmëroj në Inspektoratin e Policisë së Kosovës
“I shokuar për këtë të papritur kur kisha përballë një pasardhëse të njeriut qe më kishte torturuar, e cila gjithashtu nuk hezitoi të ma rikujtonte se është Police e Kosovës, përveç bisedës që kisha me disa kolegë deputet, vendosa qe ta lajmëroj rastin në Inspektoratin Policor të Kosovës, të cilët besoj që do ta trajtojnë rastin me profesionalizëm.
“Takimi me atë zonjën nuk ishte i rastësishëm, ajo kishte ardhur enkas, duke më pritur deri sa po dilja nga Parlamenti për të më treguar që përveçse s’ndjenë keqardhje, nuk ja ndien fare se çka flasin njerëzit qe kanë vuajtur torturat mizore të UDB-ashve”, përfundoi ai.
Çka tha Dugolli për Ajet Istogun?
Ish-i burgosuri politik, Enver Dugolli, pati zbuluar emrat e disa shqiptarëve që shërbenin në UDB-në famëkeqe dhe që ishin përgjegjës për torturat ndaj tij dhe të tjerëve. Mes tyre, ai përmendi edhe Ajet Istogun.
Dugolli për Ajet Istogun si udbash ka thënë se përpos detyrës së tij si punëtor i devotshëm-arsimtar, ai tentoi të kryente edhe linçimin, torturën e shantazhin.
“Udbashi kryesor ka qenë nga Gllogovci, Ajet Istogu, i cili ka qenë arsimtar, punëtor i devotshëm. Tentonte të kryente detyrën e vet si për linçim, tortur, shantazh dhe gjithçka. Më vonë kam kuptuar se ai ka tentuar edhe në familje të bëjë asi presione, për të thyer shpirtnisht. Edhe vëllaun e madh Naserin… e thërret disa herë, i thotë nuk ka punë për ty, në realitet duhet të bashkëpunosh, zgjedh ku po don. Vëllai i thotë ‘o Ajet Istogu unë do t’i hajë edhe gjunjtë e mi, e nuk bëhna argat i joti’ “, deklaronte ai në rtv Dukagjini.
/Insajderi