
Hysen Durmishi i cili deri tani ka qenë zëvendësministër, është caktuar ushtrues detyre i ministrit të Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, pas dorëheqjes së ministrit Liburn Aliu.
“Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka caktuar sot zëvendësministrin e deritanishëm të Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Hysen Durmishi, ushtrues të detyrës së Ministrit të Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, pas dorëheqjes dhe lirimit nga detyra të ministrit të këtij dikasteri, Liburn Aliu. Kryeministri Kurti e uron z. Durmishi për përgjegjësinë e re dhe i dëshiron suksese në përmbushjen e detyrave”, thuhet në njoftim të Zyrës së Kryeministrit.
Sot, Ministri në detyrë i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, ka dorëzuar dorëheqjen e tij tek kryeministri në detyrë, Albin Kurti.
Aliu me anë të një shkrimi në ‘Facebook’ ka deklaruar se dorëheqja e tij vjen pas zgjedhjes së Dimal Bashës kryetar të Kuvendit, shkruan Insajderi.
“Dua t’ju njoftoj që sapo e dorezova te Kryeministri i Republikës së Kosovës, z. Albin Kurti, letrën e dorëheqjes sime nga detyra e Ministrit në Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës.
Dorëheqja ime vjen pas zgjedhjes së djeshme të kryetarit te Kuvendit të Republikës së Kosovës. Dje, pas votimit te kryetarit të Kuvendit, e kam njoftuar Kryeministrin Kurti për vendimin tim.
Konsideroj që zgjedhja e djeshme e Kryetarit të Kuvendit, institucionit më të lartë, ku vendosen ligjet dhe jep llogari qeveria, nuk është në frymën e në lartësihë e atij ideali për Republikën që ka qenë dhe mbetet arsye angazhimi për mua”, deklaroi ai.
Aliu është parë më i tërhequr në paraqitje publike përgjatë fushatës zgjedhore. Ai s’ka qenë as në listën e kandidatëve për deputetë. /Insajderi.org/