Imunizimi me 200 mijë vaksinat kineze që sot arritën në vend do të fillojë të martën. Me to do të vaksinohen qytetarët e paraqitur në ueb faqen vakcinacija.mk si dhe qytetarët më të moshuar të cilët janë paraqitur përmes mjekut amë. Pos vaksinës kineze, në dispozicion për qytetarë do të jenë vaksina edhe nga prodhues të tjerë.
Ministri i Shëndetësisë bëri thirrje që qytetarët të mos bëjnë ndasi apo preferenca për vaksina të caktuara, sepse të gjitha janë të sigurta dhe efikase.
Përpara vaksinimit qytetarët konsultohen me personelin mjekësor nëse iu lejohet pranimi i vaksinës, bazuar në gjendjen e tyre shëndetësore.
Gjatë muajit maj pritet të arrijnë mbi 500 mijë doza shtesë të vaksinave kundër Kovid 19.
Për momentin vaksinimi zhvillohet në dy sisteme, njëri i cili evidenton qytetarët sipas moshës, dhe tjetri që evidenton të punësuarit në institucionet shtetërore të cilët janë më të rrezikuar ndaj infeksionit.