Prokuroria Themelore në Ferizaj ka ngritur aktakuzë ndaj kompanisë “Bageri”, pas hulumtimit të Gazetës Insajderi ku zbardheshin falsifikimet që kjo kompani kishte bërë në tenderët milionësh.
Në dhjetor të vitit të kaluar, Gazeta Insajderi, kishte shkruar ekskluzivisht se si kompania “Bageri” kishte falsifikuar dokumentet e dy gjeodetëve duke i paraqitur sikur punëtorë të tyre për të ftuar tenderë.
Kjo kompani i kishte keqpërdorur të dhënat personale, duke krijuar dy kontrata false me emrat e dy gjeodetëve dhe kishte arritur që të fitojë dy kontrata për asfaltimin e rrugëve.
Një tender e kishte fituar Komunën e Ferizajt me vlerën 2 milionë e 472 mijë euro dhe një në Viti që kapte vlerën e 274 mijë eurove.
Vetëm pesë muaj pas hulumtimit ekskluziv të Gazetës Insajderi ku zbardheshin mashtrimet që kompania kishte bërë me komunat – prokuroria ka ngritur aktakuzë ndaj të njëjtës.
“Ju njoftojmë se Prokuroria Themelore në Ferizaj, Departamenti për Krime të Rënda, lidhur me rastin në fjalë [v.j. shkrimin e Gazetës Insajderi] më 26.04.2022, ka ngritur aktakuzë ndaj një (1) personi, për shkak të dyshimit të bazuar të veprës penale “Keqpërdorimi dhe mashtrimi në prokurim publik”, thuhet në përgjigjen e Prokurorisë Themelore të Ferizajt për Insajderi.
Gazeta i ka shkruar mbi këtë çështje pronarit të Bagerit, Bujar Shabanit, por i njëjti ende nuk ka kthyer përgjigje./Gazeta Insajderi/