
Një banor në lagjen “Ulpiana”, në Prishtinë ka gjetur zgjidhje ‘të shpejtë’ për parkingun e veturës së tij të tipit “Land Rover”. Ai ka vendosur të dëmtojë hapësirën publike për t’i bërë vend veturës.
Më konkretisht bëhet fjalë për lagjen “Ulpiana” tek ndërtesa C-15, hyrje 8.
Sipas informacioneve, banori është mërgimtar, ai jeton në Suedi.
Nga pamjet e siguruar nga Insajderi shihet se i njëjti ka prerë pemën (bli), për t’i bërë vend automjetit të tij. Përveç prerjes së pemës, i njëjti shihet se ka vendosur një shtyllë, në mënyrë që ta parkojë vetën kurdo.
Për këtë rast Gazeta Insajderi ka lajmëruar Drejtorinë e Inspekcionit në Komunën e Prishtinës. Ka qenë inspektori, Skënder Gashi, i cili qysh dje është marrë me rastin. Ai ka konfirmuar se kanë intervenuar por që nuk kanë arritur ta gjejnë pronarin e shoferit.
“E kemi parë që ambienti është dëmtuar. Shoferin nuk kemi mund ta lokalizojmë, por kemi intervenuar tek hapësira, do ta ndjekim rastin”, ka thënë ai.
Siç edhe po mund të shihet nga pamjet, shtylla e vendosur është larguar. Në vendin e ngjarjes janë parë zyrtarë të Inspekcionit derisa e kryenin intervenimin.