×
  • Lajme
  • Hulumtime/Analiza
  • Hulumtime/Analiza

    Pas intervistës për Insajderin, i biri i të vrarit me eksploziv në Gjakovë ftohet nga Prokuroria për intervistim

    Insajderi
    21 November 2023 - 17:57
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Gazeta Insajderi ka intervistuar Gani Ahmetin, të birin e Haxhi Ahmetit, i cili është vrarë me eksploziv në Gjakovë. Ahmeti ka pretenduar për ndërhyrje në zbardhjen e drejtësisë për babain e tij. Sipas tij, persona të caktuar i kishin shkuar në shtëpi gjyqtarit kryesor, Ilir Rashkajt, me urdhër të të dyshuarit Dod Gjikolës. Ahmeti pretendon se një gjë e tillë është përmendur në seancë gjyqësore nga vetë gjyqtari. Ndërkaq, për ish-prokurorin e rastit Ali Uka, thotë se u tërhoq për arsye të kërcënimeve që ka marrë. Lidhur me krejt këto që kishte përmendur në intervistë, Gani Ahmeti është ftuar më pas për intervistim nga Departamenti i Hetimeve.

    Insajderi ka siguruar pjesë të intervistimit të Gani Ahmetit nga hetuesia, në të cilat Ahmeti përmend emrin e gjyqtarit kryesor dhe ish-prokurorit të rastit.

    Çka thotë Gani Ahmeti për gjyqtarin Ilir Rashkaj?

    Gani Ahmeti, në bazë të procesverbalit të siguruar nga Insajderi, deklaron se gjyqtari Rashkaj në seancë gjyqësore iu është drejtuar Dod Gjikolës, të dyshuarit vrasjen e Haxhi Ahmetit, duke i kërkuar të mos I dërgojë më njerëz në shtëpi.

    Kurse sa i përket gjyqtarit Ilir Rashkaj unë kam kuptuar gjatë seancës gjyqësore kur ju ka drejtuar gjyqtari të dyshuarit Dod Gjikoles duke i thënë ,,Nuk ki nevoj me më qu gjin në shtëpi, nuk mund të më tutin e as të ndikojn tek unë”, thuhet në procesverbalimin e intervistimit të Ahmetit.

    Çka dëshmoi për ish-prokurorin e rastit Ali Uka?

    Në dëshminë dhënë Departamentit të Hetimeve, Gani Ahmeti pretendon se ish-prokurori i rastit Ali Uka pati presion që të mos lëshohej urdhërarrest ndërkombëtar për të dyshuarin Gjikola.

    “Dua të deklaroj se në kohen kur ka ndodhë rasti i babait tim unë kam qenë në burg në vuajtje të dënimit. Pasi që kam dalë nga burgu kam kuptuar se prokuror i rastit ishte Ali Uka. Unë kam shkuar në prokurori për tu interesuar se deri ku ka arritur rasti dhe aty jamë takuar me prokurorin Ali Uka. Gjatë bisedes e kam pyetur se qfarë është duke ndodhur me rastin e babait dhe i njejti më është përgjigjur:-Gani,,jamë duke bër shkresë tek kryeprokurori që unë të bëj tërheqje nga kjo landa”. Unë e pyeta pse po tërhiqesh dhe ai me tha tezak ma ka ardhur Bajram Ahmeti në shtëpi së bashku me djalin e tij, Alushin dhe gjatë bisedes ma ka kapur telefonin nga dora dhe më ka thën ki kujdes se bone Isshove fletarrest ndërkombtar për Dod Gjikolen i cili është i dyshuari për vrasjen e babait tim, ki me ma pa sherrin sikur të tjerët”.

    “Unë mendoj se prokurori Ali Uka nga kërcënimet që i ka marrë nuk ka vepruar për zbardhjen e rastit saktësisht duke mos lëshuar fletëarrest ndërkombëtar gjë që prokurorja e Prizrenit e ka bërë menjëherë këtë veprim. Po ashtu si palë e dëmtuar nuk jemi në dijeni pse është përjashtuar prokuroria e Gjakovës nga rasti sepse nuk kemi pranuar asnjë shkresë zyrtare”, vijon dëshminë Ahmeti.

    Si ndodhi rasti?

    Më 14 tetor të vitit 2018, Haxhi Ahmeti, 61-vjeç, kishte mbërritur nga Gjermania në Gjakovë, vendlindjen e tij.

    Por, Ahmeti nuk do të mbërrinte të shkelte brenda shtëpisë së familjes së tij, në Smolicë të Gjakovës, atë ditë.

    Ai vdiq duke e hapur derën e shtëpisë, si pasojë e shpërthimit të një eksplozivi.

    Eksplozivi që doli të ishte fatal për 61-vjeçarin ishte vendosur ne kutinë postare afër derës së shtëpisë dhe në momentin kur ai ishte afruar, eksplozivi kishte shpërthyer.

    Ekzekutuesi i kësaj bombe me telekomandë nuk ishte identifikuar për një kohë të gjatë nga autoritetet e Kosovës.

    Por, sipas hetimeve të Prokurorisë Themelore në Gjakovë, i dyshuari për vrasjen e Haxhi Ahmetit më pas u identifikua Dodë Gjikolaj, një 41-vjeçar nga Shqipëria.

    Gjikolaj, i cili përveç dyshimeve për vrasjen në Gjakovë, akuzohet edhe për një sërë veprash penale të tjera, ishte arrestuar në Gjirokastër të Shqipërisë.

    Para ekzekutimit të Haxhi Ahmetit në Gjakovë më 2018, Gjikolaj dyshohet se më 2017 kishte rrëmbyer Pjetër Narkajn, një biznesmen shqiptar. Ngjarja dyshohet të ketë ndodhur në Velipojë.

    Ai asokohe nuk kishte pranuar kryerjen e aktit, madje as i rrëmbyeri nuk e kishte pranuar se ishte marrë peng nga Doda.

    Të dy personat e përfshirë në këtë ngjarje pranuan se kanë pasur një konflikt për një borxh prej 4 mijë eurosh, nga Narkaj, ndaj Gjikolajt.

    Pavarësisht këtyre deklarimeve, 41-vjeçari Dodë Gjikolaj, lindur në Kurbnesh, Mirditë dhe banues në Velipojë, u akuzua për pengmarrje. /Insajderi.org/

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark