×
  • Sport
  • Sport / Insporti

    Pas Kosovës, Suedia njofton se do të ankohet ndaj vendimit të UEFA-s për ndeshjen Rumani – Kosovë

    Insajderi
    21 November 2024 - 12:13
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    UEFA ka vendosur dje në favor të Rumanisë për ndeshjen e ndërprerë të premten e kaluar kundër Kosovës, duke i dhënë fitore Rumunisë me një rezultat zyrtar 3:0.

    Ky vendim ka shkaktuar reagime të fuqishme nga Federata e Futbollit të Kosovës, e cila ka paralajmëruar se do të ankimojë vendimin në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv (CAS) në Lozanë.

    Por Kosova nuk është e vetmja palë e pakënaqur me vendimin e UEFA-s.

    Suedia, e cila po ashtu ishte e prekure nga ky vendim, ka shprehur shqetësimin e saj, pasi me këtë rezultat, Rumania u shpall ekipi më i mirë i Ligës C në Ligën e Kombeve dhe rriti mundësitë për të siguruar një vend në Kupën e Botës. Me një barazim të mundshëm mes Rumanisë dhe Kosovës, Suedia do të ishte ekipi më i mirë i Ligës C, por tani, me vendimin e UEFA-s, suedezët ranë një hap pas, duke mbyllur grupin me 16 pikë, ndërsa Rumania arriti 18 pikë.

    Federata Suedeze e Futbollit ka paralajmëruar gjithashtu se mund të ankimojë vendimin, të cilin e konsideron të padrejtë dhe një favorizim të paligjshëm të Rumanisë. Menaxheri i Kombëtares Suedeze, Stefan Petterson, shprehu zhgënjimin për mungesën e një vendimi të UEFA-s para ndeshjes së Suedisë, ndërsa Kim Källström, menaxheri i futbollit në Federatën Suedeze, theksoi se po shqyrtojnë mundësinë e ankesës dhe konsiderojnë se sjellja jashtë fushës ka ndikuar drejtpërdrejt në rezultatin sportiv.

    Ndeshja mes Rumanisë dhe Kosovës u ndërpre në fund të saj, kur rezultati ishte 0:0, pasi lojtarët e Kosovës u tërhoqën nga fusha për shkak të thirrjeve raciste nga tifozët rumunë. Pas një vonese prej afro 50 minutash, gjyqtari vendosi ta mbyllë ndeshjen, duke e konsideruar të mbyllur me një rezultat të shpallur nga UEFA.

    Ky vendim ka ngritur shqetësime të mëdha për ndikimin që mund të ketë sjellja e tifozëve dhe faktorët jashtë fushës në rezultatet e ndeshjeve ndërkombëtare. Kombëtarja e Kosovës tani po përgatitet për ankimimin e vendimit në CAS, ndërsa Suedia po shqyrton gjithashtu opsionet e saj ligjore për të siguruar drejtësi.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark