
Pas një numri kritikash nga ambasadorët e disa prej vendeve të QUINT’it ndaj opozitës kosovare për kundërshtitë ndaj plan-propozimit evropian për normalizim të marrëdhënieve, Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi u takua me ambasadorin francez në Prishtinë, Olivier Guerot.
Temë diskutimi ndërmjet tyre ishin situata aktuale politike në vend dhe zhvillimet në dialogun Kosovë-Serbi, tashmë të kornizuar sipas planit të BE’së.
“Ambasadorit Guerot, i shpreha qëndrimet e Partisë Demokratike të Kosovës rreth këtij procesi dhe rezervat që i kemi shfaqur edhe publikisht lidhur me marrëveshjen aktuale të prezantuar, duke u fokusuar posaçërisht në mungesën e njohjes së ndërsjellë si rezultat përfundimtar i procesit të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”.
“PDK mbetet e përkushtuar për bashkëpunim të vazhdueshëm dhe koordinim konstruktiv me aleatët tanë ndërkombëtarë, gjithmonë në funksion të arritjes së qëllimeve tona shtetërore”, tha mes tjerash Memli Krasniqi.
Një ditë më parë, ambasadori francez u shpreh se pret nga opozita që çështjen e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, “ta shikojë këtë çështje me një perspektivë të gjerë, me një perspektivë më të madhe dhe të mbështesë ndikimin e komunitetit ndërkombëtar drejt normalizimit”.
Ditë më parë Kryesia e Partisë Demokratike të Kosovës doli me një qëndrim ku shprehën qëndrimet ndaj plan-propozimit evropian, për të cilin thanë se ajo nuk përmban njohje të ndërsjellë në qendër, por Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe.
Kutjojmë edhe se Memli Krasniqi, më herët duke folur për plan-propozimin frankogerman ishte shprehur se “ashtu siç është plani frankogjerman, asnjë shqiptar nuk do ta pranonte”./Insajderi/