Donika Gërvalla, e besuara e Kurtit për udhëheqje të diplomacisë, ka konfirmuar deklaratën e shefit të saj, i cili në Podujevë tha se njerëzit po kthehen në Kosovë nga Gjermania, meqë Kosova po lulëzon dhe Gjermania është në recension ekonomik.
Gërvalla në Tëvë1 deklaroi se po takon qytetarë në aeroplan që po kthehen në Kosovë.
“Unë takoj me dhjetra qytetarë në muaj dhe shoh se ka një tendencë të kthimit me kujdes. Pra, kthimit një herë për tre muaj, gjashtë muaj… Gjithmonë kemi të bëjmë me një kategori të caktuar. Unë takoj në aeroplan çdoherë njerëz të cilët kanë ikur para një kohe shumë të gjatë edhe po kthehen përsëri, sepse kanë konstatuar që jo gjithçka, në Gjermani në Zvicër dhe shtete të tjera është kaq e lehtë sa duket nga distanca. Është e vërtetë që Evropa Perëndimore po vuan nga një gjendje jo-stabiliteti”, deklaroi ndër të tjera ajo.
Nga një tubim elektoral në Podujevë, Kurti ka thënë se Gjermania është buzë recensionit, kurse Kosova po lulëzon ekonomikisht.
Si rezultat, ka thënë se pret që mërgimtarët nga atje të kthehen në Kosovë.
“Kanë me nis me ardhë e me u kthy gjithnjë e ma shumë prej diasporës në Kosovë, se kur janë shku në vitet e 90’ta këtu ka qenë terrori i Serbisë e apartheidi, e kur kanë shku në Gjermani atje, azilin ua kanë dhanë menjëherë, banesën ja u kanë gjet, edhe Gjermania pat lulëzu se u pat bashku e u shëndrru në motorin e industrisë Evropiane.
Mirëpo sot, të dashur qytetarë, Kosova po lulëzon dhe Gjermania është buzë recensionit. Kanë me u kthy bashkatdhetarët tanë, por ne duhet të jemi të përgatitur”, tha Kurti. /Insajderi.org/