
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka njoftuar se ka takuar presidentin e Këshillit Europian, Charles Michel.
Ai tha se bashkë me Michelin, ishin të një mendje se lirimi i tre policëve të Kosovës sot ishte një lajm shumë i mirë, megjithëse i vonuar.
Tre zyrtarë policorë të Kosovës janë liruat të hënën nga autoritetet e Serbisë. Ata kanë arritur në Kosovë përmes vendkalimit kufitar në Merdare.
Ndërkohë, Rama shkroi në Twitter se tash duhet të deeskalohet situata, sa i përket zhvillimeve të fundit mes Kosovës dhe Serbisë.
“Domosdoshmëria e de-eskalimit të menjëhershëm, e cila është rruga e duhur drejt fazës finale të Dialogut për Marrëveshjen e Normalizimit mes Kosovës e Serbisë, duhet kuptuar qartë nga të dyja palët edhe si një detyrim madhor ndaj krejt rajonit, i cili nuk mund të merret peng nga askush”, shkroi ai.