Pas pezullimit të eksportit të armëve, një avion mallrash nga Izraeli ateroi dhe u largua nga Beogradi - Insajderi
×
  • Lajme
  • Lajme

    Pas pezullimit të eksportit të armëve, një avion mallrash nga Izraeli ateroi dhe u largua nga Beogradi

    Insajderi
    24 June 2025 - 20:38
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Gjatë kohës së konflikteve të armatosura në Lindjen e Mesme, kur kompanitë ajrore ndërkombëtare po pezullojnë fluturimet drejt Izraelit, një avion mallrash ka ateruar në Beograd nga Tel Avivi.

    Avioni ka zbritur në aeroportin “Nikola Tesla” të Beogradit më 23 qershor, në orët e vona të mbrëmjes.

    Ai e ka lënë Serbinë të nesërmen, më 24 qershor, duke fluturuar drejt një aeroporti ushtarak izraelit pranë qytetit Beresheva, në jug të vendit.

    Nuk dihet se çfarë ka transportuar.

    Avioni ka ateruar në Beograd vetëm disa orë pasi presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, njoftoi se shteti kishte pezulluar eksportin e armëve, duke përmendur posaçërisht Izraelin.

    Avioni, që fluturoi nga Tel Avivi në Beograd, dhe më pas përfundoi në një bazë ajrore izraelite, është i specializuar për transportim të ngarkesave të rrezikshme, përfshirë armët.

    Autoritetet përkatëse në Serbi nuk kanë dhënë asnjë sqarim për këtë fluturim.

    As kompania ajrore izraelite Challenge Airlines, pronare e avionit për mallra, nuk u është përgjigjur pyetjeve të REL-it.

    Presidenti Vuçiq ka refuzuar t’iu përgjigjet gazetarëve për fluturimet e regjistruara më 23 dhe 24 qershor.

    “Nuk më shkon ndërmend të them se çfarë ka fluturuar dhe çfarë ka ateruar”, deklaroi ai.

    Ky është rasti i tetë brenda tetë muajve të fundit që i njëjti avion transportues udhëton në linjën Izrael–Serbi–Izrael, sipas të dhënave nga faqja e specializuar për ndjekjen e trafikut ajror Flight Radar, të analizuara nga REL.

    Destinacioni i këtij avioni nga Beogradi ka qenë gjithmonë i njëjtë – ai ka ateruar në bazën ajrore ushtarake Nevatim, pranë Bereshevës.

    Kjo bazë ajrore ka qenë disa herë objekt i sulmeve nga kundërshtarët e Izraelit që nga fillimi i konfliktit në Lindjen e Mesme.

    Të dhëna të sakta mbi sasinë dhe llojin e armatimit apo pajisjeve ushtarake që Serbia ka eksportuar në Izrael, apo në vende të tjera nuk janë të disponueshme publikisht.

    Lejet për eksportin e armëve jepen nga Ministria për Tregti të Brendshme dhe të Jashtme.

    Megjithatë, kjo ministri prej vitesh nuk ka publikuar në faqen e saj raportet vjetore mbi lejet e dhëna për eksport të armatimit.

    Aeroporti i Beogradit pa përgjigje për detajet e fluturimit

    Në përgjigjen e dhënë për Radion Evropa e Lirë, autoritetet e aeroportit të Beogradit nuk kanë treguar se çfarë ka transportuar avioni në fluturimin Tel Aviv–Beograd–Bereshevë.

    Kompania Belgrade Airport, që menaxhon aeroportin “Nikola Tesla”, tha për REL-in se shërbimet e saj ishin “të njoftuara me kohë” për uljen dhe ngritjen e avionit, “sipas orarit të paraparë”.

    Sipas tyre, detyra e kompanisë është të “sigurojë shfrytëzimin e infrastrukturës së aeroportit për të gjitha palët e interesuara, në kushte të barabarta”, në përputhje me rregulloret vendore dhe ndërkombëtare për transportin e udhëtarëve dhe mallrave.

    Megjithatë, nuk dhanë sqarime mbi qëllimin e këtij fluturimi.

    “Të gjitha informacionet shtesë mund t’i kërkoni nga kompanitë që kanë angazhuar linjën ajrore për nevojat e tyre, si dhe nga institucionet përkatëse që lëshojnë leje për kryerjen e fluturimeve të rregullta ose të linjave të përkohshme”, thuhet në përgjigje.

    Nuk dihet se cila kompani e ka angazhuar operatorin privat izraelit për këtë fluturim, ndërsa ministritë përkatëse nuk janë përgjigjur në pyetjet e REL-it.


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark