Kryediplomati shqiptar i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani do të vijë nesër për vizitë në Kosovë për t’u takuar me krerët e shtetit.
Osmani do ta nisë vizitën me homologen e tij Donika Gërvalla, takim ky që do të mbahet në Ministrinë e Punëve të Jashtme me fillim nga ora 09:30.
Më pas, do të vijojnë edhe me konferencë për media.
Pas Gërvallës, kryediplomati maqedonas do të takohet me Presidenten, Vjosa Osmani, takim ky që parashihet të nisë në ora 10:25.
Kështu njoftoi Presidenca përmes një komunikate për media.
“Në orën 10:25, Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani pret në takim Ministrin e Punëve të Jashtme të Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, i cili është edhe kryesues aktual i OSBE-së”.
Takimet e tij, kryediplomati Bujar Osmani do t’i përfundojë me kryeministrin Albin Kurti, me të cilin do të takohet me fillim nga ora 12:20.
Takimet me Presidenten Osmani dhe Kryeministrin Kurti do të përfundojnë pa deklarim për media.