Tenderin 2.5 milionësh për të cilin ka raportuar Gazeta Insajderi të Komunës së Podujevës për Shaip Shabani, i cili u pa nën shoqërinë e Bulliqit të Podujevës, gjatë një ‘neje’ është pezulluar. Ky tender ishte dhënë për ndërtimin e Shkollës së Mesme Ekonomike në Podujevë, madje Kryeministri, Kurti nesër do të marrë pjesë në ceremoninë e vënies së themelit të kësaj shkollë.
Gazeta Insajderi
Gazeta Insajderi në mars të këtij viti kishte raportuar lidhur me tenderin e kësaj shkolle, ku përkundër kriterit kryesor që ishte ‘çmimi më i ulët’, fituese ishte zgjedhur kompania me çmim për gjysmë milion euro më të shtrenjtë se vlera e parashikuar.
Pronari i kompanisë fituese, Shaip Shabani, shihet nën shoqërinë e Bulliqit të Podujevës, gjatë një ‘neje’ me mish, birra e muzikë.
Por, që Podujevës duket se i ka dal problem me këtë tender.
Gazeta Insajderi ka siguruar një vendim të Gjykatës Komerciale, ku është vendosur për shtyrje të ekzekutimit.
Nga Komuna kërkohet që menjëherë ta pezullojë ekzekutimin e kontratës.
“Për arsyet e shtjelluara detajisht nè padi, i propozon gjykatës që konform nenit 22 par. 6 dhe 7 te LKA-së të marr aktvendim më të cilin aprovohet në tërèsi si e bazuar kërkesa e paditësit ARAD 94 shpk për shtyerje të ekzekutimit të vendimit PSH.Nr.2024/0201 i datës 03.05.2024, t& shtyhet ekzekutimi vendimit PSH.Nr.2024/0201 i datës 03.05.2024 deri në marrjen e publike nr.615-23-3422-5-1-1/C997, deri në nxjerrjen e një tjetër vendimi gjyqësor. Detyrohet Komuna e Podujevës që menjëherë pas pranimit të këtij aktvendimi të pëzulloj ekzekutimin e kontratës publike“, thuhet në vendim.
Gjykata ka vlerësuar se shtyrja e ekzekutimit të vendimit është e domosdoshme.
“Gjykata vlerëson se shtyrja e ekzekutimit të vendimit është e domosdoshme deri në shqyrtim të vendimit të ligjshmërisë së vendimit të kundërshtuar dhe ligjshmërisë së procedurës së prokurimit të zhvilluar nga autoriteti kontraktues, dhe vlerëson se shtyerja e realizimit të projektit “*Ndërtimi i shkollës së mesme ekonomike Isa Boletini” me or Prok:615-23-3422-5-1-1, për një kohë të arsyeshme deri në shqyrtim të ligjshmërisë nuk e dëmton AK dhe as nuk është në dèm të interesit publik sepse nuk e ndryshon gjendjen ekzistuese ë tanishme“, thuhet aty.
Birra, mish e këngë- Bulliqi në shoqëri të biznesmenit që mori 2.5 milionë euro nga Komuna e Podujevës
Me 25 prill të vitit 2023, ishte hapur tenderi për ndërtimin e shkollës ekonomike “Isa Boletini” në Podujevë. Komuna për këtë projekt kishte vendosur vlerën e parashikuar prej 2 milionë euro.
Për këtë projekt kishin garuar nëntë kompani dhe grupe kompanish.
Por, edhe pse kishte kompani garuese që ofronin çmim më të lirë, komuna kishte konsideruar që ato nuk i plotësojnë kushtet dhe fitues u zgjodh grupi “Konstruktori ING 1969” & “Flori eng” NGA Prishtina, me vlerë të ofertës 2,565,696.26 euro.
Në muajin gusht të 2023-tës, ishte marrë vendimi për pezullimin e aktivitetit të prokurorimit.
Pasi që kompania “Grandelite L.L.L” dhe “Arad 94”, nuk ishin pajtuar me vendimin e Komunës kishin parashtruar ankesë në OSHP. Lënda kishte shkuar në rivlersim.
Por, për të dytën herë, me 22 shkurt, fituese ishte zgjedhur kompania “Konstruktori ING 1969” dhe “Flori eng”, me vlerë të ofertës prej 2 milionë e 565,696.26 euro.
Pra, gjysmë milion euro është çmimi i tejkaluar krahas vlerës së parashikuar të kontratës, të cilën komuna ka nënshkruar kontratë për ndërtimin e shkollës.
Ani pse, kriter kryesor i dhënies së tenderit ishte “çmimi më i ulët”.
Pronar i njërës kompani fituese është biznesmeni Shaip Shabani. Shabani është pronari i kompanisë “Konstruktori ING 1969”.
Shaip Shabani ishte parë gjatë një ‘neje’ në një tavolinë me kryetarin Shpejtim Bulliqi.
Sipas videos që ka siguruar Insajderi, duket se Shpejtim Bulliqi dhe Shaip Shabani kanë shoqëri të mirë me njëri-tjetrin.
Nuk dihet se për çka ishin mbledhur, por po festonin me muzikë live, mish e birra.
Vlend të theksohet se kjo nuk është hera e parë që Bulliqi i shpërblen me tenderë dostat e tij.
Ndërkohë Komuna e Podujevës sot ka njoftuar se kryeministri Albin Kurti, nesër në ora 11:00 do të marrë pjesë në ceremoninë e vënies së gurëthemelit të Shkollës së Mesme Ekonomike në Podujevë.
“Kryeministri Kurti do ta marrë pjesë në ceremoninë e vënies së gurit themeltar të Shkollës së Mesme Ekonomike në Podujevë. Njoftohen të gjitha mediat se të shtunën, më 8 qershor 2024, në orën 11:00 do të vihet guri themeltar për ndërtimin e objektit të Shkollës së Mesme Ekonomike “Isa Boletini” në Podujevë. Në këtë ceremoni do të marrin pjesë Kryeministri i Republikës së Kosovës – z.Albin Kurti, Kryetari i Komunës së Podujevës – z.Shpejtim Bulliqi, Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit – znj.Arbërie Nagavci dhe deputetë të Kuvendit të Kosovës e zyrtarë komunalë”, thuhet në njoftimin e komunës. /Insajderi.org