Inspektorati Policorë i Kosovës në një përgjigje për Gazetën Insajderi ka bërë të ditur se është ngritur kallëzim penal ndaj policit që dyshohet se ka ngacmuar seksualisht kolegen e tij.
Gazeta Insajderi ekskluzivisht kishte raportuar për rastin ndaj të cilit fillimisht ishte hezituar të hapet si rast por më pas Policia e Kosovës kishte konfirmuar se polici H.L ( emër i njohu për redaksinë) është suspenduar fillimisht për 72 orë.
Zyrtari policor H.L i cili sipas informatave që ka siguruar Gazeta Insajderi dyshohet se ka ngacmuar seksualisht një police të gjeneratës së re e cila punon ne stacionin e policisë në Skenderaj(emër i njohur për redaksinë).
Sipas burimeve te Gazetës H.L ka qenë polic hetues ne stacionin policor ne Skenderaj. Policia rajonale e Mitrovicës kishte konfirmuar se ai është suspenduar me 16 shkurt 2022, ditën edhe kur është paraqitur ankesa ndaj tij nga viktima.
Ndërsa pas disa ditësh, IPK thotë se në bazë të hetimeve ndaj tij është ngritur kallëzim penal me dyshimin se nga zyrtari policor është kryer vepra penale “Ngacmim Seksual” .
“Duke ju referuar kërkesës suaj ju njoftojmë se IPK respektivisht hetuesit e Departamentit të Hetimeve lidhur me rastin kanë ndërmarrë veprime hetimore dhe në konsultim më Prokurorinë Themelore në Mitrovicë rasti do të përcillet me kallëzim penal me dyshimin se nga zyrtari policor është kryer vepra penale “Ngacmim Seksual” “, thuhet në përgjigjen e IPK për Insajderin.
Fillimisht zyrtari është suspenduar për 72 orë nga Policia e Kosovës, kurse nga IPK kanë përfunduar të gjitha veprimet hetimore dhe kanë pushuar arsyet e vazhdimit të suspendimit.
Rasti do të vazhdojë të trajtohet në procedurë të rregullt nga Prokuroria Themelore në Mitrovicë. Insajderi.org