Pas hulumtimit të Gazetës Insajderi se plaftorma “Ndreqinotat.com” po del të jetë mashtrim. Prokuroria është aktivizuar. Tashmë ka nisur hetimet lidhur me mashtrimet që iu kanë bërë përgjegjësit e kësaj platforme qytetarëve.
Këtë për Insajderin e kanë konfirmuar nga Prokuroria Themelore në Prishtinë.
“Prokuroria Themelore në Prishtinë ju njofton se me të kuptuar lajmin që ka qarkulluar në gazetat- portalet online, Prokurori i Shtetit ka autorizuar policinë për të marrë veprime hetimore lidhur me shfaqjen e dyshimeve për mashtrimin e qytetarëve”, thuhet në përgjigjen e tyre për Insajderi.
Ndreqinotat.com prezantohej si një program i monitoruar i Qeverisë dhe organizatës GIZ. Kjo platformë doli të jetë mashtrim. Nga Qeveria e Kosovës konfirmuan se platforma në fjalë nuk ka mbështetje nga Qeveria.
Përparim Kryeziun, zëdhënës i Qeverisë, për Gazetën Insajderi, ka konfirmuar se platforma në fjalë nuk mbështet nga Qeveria.
Ai i bëri thirrje qytetarëve që të mos bien pre e mashtrimeve dhe ta paraqesin rastin në organet e rendit.
“Ju njoftojmë se platforma në fjalë nuk mbështetet nga asnjë program i Qeverisë, përfshirë këtu edhe Agjencinë e Punësimit. Pretendimi nga kjo platformë se ajo mbështetet nga qeveria është i pavërtetë, dhe mund të ketë për qëllim vetëm mashtrimin. I ftojmë qytetarët që të kenë kujdes dhe të mos bien pre e mashtrimeve të ngjashme dhe rastet e tilla t’i paraqesin në organet e rendit”, tha Kryeziu.
Çka është Ndreqinotat.com?
Ndreqinotat.com, ka dhënë njoftim në rrjete sociale dhe grupe të ndryshme se po kërkon persona të interesuar për punësim.
Aty thuhet se kjo është një platformë online për mësime ndihmëse për nxënësit.
“Platforma do të lidhë tutorët me nxënësit, duke synuar të bëjë mësimin efikas dhe të përshtatshëm. Qëllimi ynë është që t’i ndreqim notat e nxënësve përmes tutorëve tanë, të cilët do ta kenë të lehtë të gjejnë nxënës përmes platformës sonë. Platforma ka standardet më të larta dhe ofron mjete të shkëlqyera për të ndihmuar në procesin e mësimdhënies“, thuhet në njoftim.
Ajo që bie në sy është se kjo platformë që përdor monitorimin nga Qeveria, ka një procedurë aplikimi të çuditshme.
Nga të interesuarit kërkohet që ta ndjekin faqen në “Facebook”, dhe të shkruajnë në mesazh “Jam i interesuar për punë“.
Si po mashtron ndreqinotat.com?
Kjo platformë, që prezantohet si ideale për punësim, është duke i kërkuar të interesuarve për intervistë nga pesë euro pagesë.
Në konkursin e lartpërmendur, nuk ceket që duhet paguar për intervistë.
Por, kur të interesuarit për punësim janë paraqitur, atyre i është kërkuar pesë euro, si tarifë për shpenzimet teknike të organizimit të intervistave.
Aplikacioni ku realizohen intervistat “Zoom”, shërbimet i ka falas.
Gazeta Insajderi ka kërkuar përgjigje, nga kjo platformë se pse po u kërkohen para, të njëjtit thanë se po i kërkohet edhe për të parë seriozitetin e kandidatëve.
“Shuma simbolike e kërkuar është bërë për këto qëllime: 1. Për të parë, para së gjithash, seriozitetin dhe motivimin e kandidatëve për t’u listuar në platformë si tutorë. 2. Për të mbuluar shpenzimet dhe kohën e madhe që po shpenzojmë në të gjitha proceset lidhur me aplikantët (shqyrtimi i aplikacioneve, përpilimi i përgjigjeve, organizimi dhe mbajtja e intervistave, vlerësimi, etj.). 3. Shumica dërmuese e mjeteve të grumbulluara do të investohen në zhvillimin e platformës“, thuhet në përgjigje.
Në pyetjen se a po mashtrohen qytetarët, ndreqinotat.com tha se janë mbështetur nga Qeveria e Kosovës dhe nga GIZ.
“Në programin për vetëpunësim të Qeverisë së Kosovës dhe GIZ, kam konkurruar me idenë e zhvillimit të një platforme online ku mësimdhënësit (tutorët) dhe nxënësit do të kishin një hapësirë virtuale ku do të zhvillohej mësimdhënia dhe mësimnxënia në mënyrë të sigurtë, transparente, të lehtë, dhe efikase, duke sjellë përfitime për të gjitha palët e përfshira.
“Për këtë ide kam punuar shumë dhe ajo është përkrahur nga Qeveria dhe GIZ si një ndër idetë (projektet) më të mira. Qeveria dhe GIZ më kanë përkrahur financiarisht për zhvillimin e website-it të platformës dhe për marketingun e nevojshëm për fillimin e projektit. Në këtë kuptim, Qeveria monitoron se a janë kryer proceset për të cilat janë dhënë mjetet“, thuhet në përgjigjen e dhënë për Insajderin.
Ankesat e qytetarëve ndaj Ndreqinotat.com
Disa qytetarë të habitur, kanë reaguar në rrjete sociale për pagesën që po u kërkohet nga platforma që po pretendon se mbikëqyrët nga Qeveria.
“Më erdh shumë çudi pjesa e tarifës 5 euro për një zoom meeting. Prej kur kanë fillu këto stile të intervistave pe pagesë. A thu se është me të vërtetë e rregulluar me ligj“, tha një qytetare.
Edhe një tjetër e interesuar për punë, e ka akuzuar platformën për mashtrim.
“Vetëm duan të marrin para, ju vjen një e-mail që duhet paguani pesë euro dhe nuk përgjigjet askush më. Mos u gënjeni“, është ankuar një qytetare.
Dilemave se a ka aplikacioni “Zoom” pagesë për realizimin e intervistave online, i është përgjigjur, njohësi i rrjeteve sociale, Dardan Hasku.
Ai në një koment në grupin “Network Prishtina”, ka shkruar se është mashtrim.
“Zoom nuk ka asnjë shpenzim teknik. Ky është thjesht një mashtrim dhe tentim për të siguruar të hyra nga njerëzit që kërkojnë një vend pune“, tha Hasku.
Ndreqinoat.com përdor emrin e Qeverisë
Ndreqinotat.com, thanë se janë përkrahur financiarisht për këtë projekt.
Sipas tyre janë mbështetur nga Qeveria dhe GIZ, si program i vetëpunësimit.
“Për këtë ide kam punuar shumë dhe ajo është përkrahur nga Qeveria dhe GIZ si një ndër idetë (projektet) më të mira. Qeveria dhe GIZ më kanë përkrahur financiarisht për zhvillimin e website-it të platformës dhe për marketingun e nevojshëm për fillimin e projektit. Në këtë kuptim, Qeveria monitoron se a janë kryer proceset për të cilat janë dhënë mjetet“, thuhet në përgjigjen e tyre.
Në pyetjen se kush qëndron, prapa kësaj platformë, të njëjtit nuk kanë dhënë emër, duke dhënë edhe një përgjigje jo profesionale.
“Na le rahat“, ishte përgjigja që dhanë.
Gazeta Insajderi, ka kontaktuar me organizatën “GIZZ”, ata thanë se nuk e kanë mbështetur direkt këtë platformë, por që mund të jenë mbështetur nga Agjencia e Punësimit.
“Të gjitha informatat mbi pjesëmarrësit/përfituesit e programit të vetëpunësimit i ka Agjencia e Punësimit të Republikës së Kosovës si institucioni që ka udhëhequr dhe organizuar këtë program. Programi i vetëpunësimit ka pasur si qëllim kryesor përgatitjen e të rinjve për tregun e punës dhe vetë-punësimin dhe punësimin e tyre. GIZ ka mbështetur këtë program/Agjencinë e Punësimit me pjesën e trajnimeve të cilat u janë ofruar kandidatëve vecse të përzgjedhur nga Agjencia e Punësimit“, thuhet në përgjigjen e GIZ.