×
  • Lajme
  • Lajme

    Pas raportimit të Insajderit që Fakulteti i Bujqësisë rrezikon të mbyllet, ministres Nagavci i bie në mend ta vizitojë

    Insajderi
    17 June 2024 - 10:44
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Pas raportimit të Insajderit që Fakulteti i Bujqësisë rrezikon të mbyllet, ministres së arsimit, Arbërie Nagavcit i ka rënë në mend që të shkojë ta vizitojë atë.

    Sektorin e bujqësisë e paraqesin çdoherë në sukseset e tyre. Qeveria Kurti në planprogramin e tyre e kanë edhe zotim reformimin e sektorit të bujqësisë. Mirëpo përgjatë mandatit të tyre, ky sektor po rrezikon të mbesë pa kuadro. Kjo, pasi që Rektorati i UP’së ka dështuar të rifunksionalizojë objektin për Fakultetin e Bujqësisë.

    Për të gjitha programet, siç precizohet në vendim tek arsyetimi i ekspertëve ndërkombëtarë për akreditim, plotësohen të gjitha standardet për akreditim, vetëm atë të infrastrukturës jo. Pra, problemi me objektin i lë të pa akredituara programet e Fakultetit të Bujqësisë.

    “Për programin e studimit: Teknologji Ushqimore me Bioteknologji, BSc 180 ECTS, nga shtatë fushat e standardeve të akreditimit, ky program është vlerësuar se i përmbush: Substancialisht gjashtë dhe nuk e përmbush një. Meqenëse fusha e infrastrukturës për këtë program studimi nuk është përmbushur, dhe kjo fushë është e detyrueshme të plotësohet së paku në nivel substancianl sipas Manualit për Akreditim, rekomandimi i ekspertëve ndërkombëtar është që ky program të mos akreditohet derisa objekti i ri të kompletohet dhe të jetë i shfrytëzuar“.

    Të premten ministrja Nagavci përmes një postimi bëri të ditur se e ka vizituar Fakultetin e Bujqësisë bashkë me zëvendës ministrin, rektorin dhe kryetarin e këshillit drejtues të UP’së.

    Në këtë njoftim Nagavci ka premtuar se do të ndërmarrin gjithçka që të tejkalohen këto probleme që sipas saj janë të trashëguara.

    “Ky objekt i cili ka nisur të ndërtohet në vitin 2013 sipas planit dinamik është dashur të përfundojë me 4.7.2015, i ka kushtuar buxhetit të shtetit 3,523,365, 74 Euro, por për shkak të keqplanifikimit, keqmenaxhimit, keqpërdorimit, e neglizhencës, për më shumë se 10 vite akoma nuk ka përfunduar. Si rrjedhojë, vitin e ardhshëm akademik rrezikohet regjistrimi i studentëve për shkak të mos akreditimit të programeve studimore. Do të ndërmarrim gjithçka që është në kompetencat tona që të tejkalohen problemet e trashëguara, që studentët të mos pësojnë, të mundësohet regjistrimi i studentëve në vitin e ri akademik dhe njëkohësisht të merren masat sipas legjislacionit në fuqi ndaj personave përgjegjës”, thuhet në njoftim.

    Insajderi iu është drejtuar me pyetje Ministrisë së Arsimit për ta pyetur se çfarë hapash konkret do të ndërmarrin për parandalimin e mbylljes së fakultetit, mirëpo deri në momentin e publikimit të artikullit s’ka marrë përgjigje.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark