Gjatë ditës së sotme, Gazeta Insajderi ka raportuar në lidhje me shkarkimin e drejtorit të Inspekcionit, Besnik Mulliqi nga detyra prej të parit të komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqit, shkruan Insajderi.
I kontaktuar nga Insajderi Mulliqi tha se pavarësisht punës korrekte që ai ka kryer, kryetari i Podujevës i cili vjen nga radhët e Vetëvendosjes e kishte shkarkuar dy orë pas rrënimit të dy objekteve në Orllan, por, kjo nuk ishte arsyeja e vetme.
Sipas ish-drejtorit, Bulliqi ka pasur tendenca që të pengoj punën e inspektoratit me mbindërtimet e përplotë punë të tjera, derisa edhe pas rezistencës së Mulliqit që t’i ndalojë ato, kryetari vendosi për shkarkimin e tij.
“Ka ndodhur një orë ose dy pasi që është kryer procesi i rrënimeve të objekteve në Orllan, dy objekte më saktë. S’ka qenë veç ky problemi, ka pasur edhe tjera probleme të patejkalueshme. Ka mbindërtime, ka tendencë për pengës te inspektoratit me zhvillu punën e vet. Unë këto nuk i kam lejuar dhe ai ka vendosur për shkarkim”, tha Mulliqi për Insajderin.
Ky është drejtori i tretë i kësaj drejtorie që po e liron detyrën që prej kur Bulliqi e ka marrë mandatin.
Mulliqi ka reaguar gjithashtu edhe në facebook, duke treguar se me Bulliqin kishte mospajtime të thella.
“Po, është e vërtetë që kemi pasur mospajtime të thella me Kryetarin e komunës së Podujevës, në njërën anë une në mbrojtje të ligjit dhe anën tjetër “Ai” në tentim për të më penguar”, ka shkruar ai në facebook.