
Gjatë konferencës për informim javor të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë, Angela Griep, shefe e Informimit dhe Komunikimit Publik ka njoftuar që trupi gjykues sot ka shpallur Salih Mustafën fajtor për krime të luftës të ndalimit arbitrar, torturës dhe vrasjes së paligjshme duke e dënuar me 26 vite burgim.
Sa i përket këtij aktgjykimi, një gazetar nga Reuters pyeti për procedurën e Apelit në çështjen e Mustafës.
Lidhur me këtë, Griep tha që secila prej palëve ka 30 ditë në dispozicion për të bërë njoftimin për Apel dhe 60 ditë të dorëzojë dosjen e Apelit.
Ajo tha që më pas prokuroria ka kohë që të përgjigjet nëse është mbrojtja ajo që e apelon vendimin dhe gjykatësi do të vendosë nëse është e nevojshme të mbahet një seancë Apeli.
Ndërsa në pyetjen sa i përket mënyrës se si do të mbahet dënimi, Griep tha që organizimet përkatëse do të bëhen pasi të merret vendimi i formës së prerë.
“Aktualisht kemi aktgjykimin e shkallës së parë, ndërkohë që organizimet përkatëse do të bëhen atëherë kur merret vendimi i formës së prerë”, tha Griep.
Tutje në këtë konferencë u tha që në çështjen gjyqësore Thaçi dhe të tjerët, gjykatësi i procedurës paraprake më 15 dhjetor 2022 e ka kaluar dosjen e çështjes tek trupi gjykues.
Pas marrjes së dosjes, trupi gjykues ka organizuar konferencë mbi ecurinë e çështjes më 16 dhjetor 2022, për të diskutuar me palët aspektet teknike në kuadër të përgatitjes së gjykimit.
Në fund, Griep ka njoftuar që informimi javor i radhës do të mbahet më 12 janar 2023 nga ora 14:30.
Ndryshe, Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, çdo të enjte, në orën 14:30, përmes platformës online “Zoom” mbajnë informim javor ku ofrojnë informacione të përditësuara mbi zhvillimet e fundit lidhur me procedurat gjyqësore dhe veprimtaritë në këtë gjykatë.